2 C
New York
Saturday, November 30, 2024

Buy now

11 fshatra të Deçanit gati që dy muaj pa ujë

- Advertisement -

Po bëhen rreth 7 javë që banorët e 11 fshatrave të Decanit nuk kanë ujë të pijes. Në të shumtën, në disa prej tyre kanë ujë vetëm 2 orë në ditë.

Shumica prej tyre detyrohen të furnizohen nëpër fshatra të tjera, thotë Shaqir Dacaj nga Irzniqi, i cili gjendjen po e cilëson alarmante.

“Ka vite që ne si fshat kemi problem me ujë të pijes këtu në Irzniq por sivjet gjendja është alarmante. Sivjet nuk kemi pas ujë me ujit tokat kështu që na kanë shterur edhe bunaret. Tash po duhet me siguru edhe ujë për higjenë edhe për pije nëpër fshatrat tjera kështu që jemi në gjendje alarmante dhe nuk po merret askush me këtë çështje. Janë duke u përpjekë vet me ba zgjidhje me i cel bunarët, besa nuk po vijnë as kompanitë se këtu është toka që shembet”, tha për RTK, Shaqir Dacaj, konsumator dhe përfaqësues i komunitetit.

Kurse Rona Haskaj, po ashtu nga Irzniqi, thotë për RTK se mungesa e ujit po na detyron të hapim pusin e ri pasi që pusi i vjetër tashmë është shterur nga thatësia e madhe.

“Po mundohemi të bëjmë zgjidhje me mënyra të ndryshme vet privatisht secili por gjendja është skandaloze, katastrofë, përtej katastrofës. Nga ujësjellësi janë gati dy orë dy orë e gjysmë në ditë dhe hiq më tepër dmth jemi … kudo që shkon e njëjta ankesë nuk ka ujë, janë shterë puset, toka pa vaditur, sidomos të dëgjosh këtë gjë në komunën e Deçanit që resurset natyrore nuk mungojnë dhe janë me bollëk””, tha ajo.

Edhe në 10 fshatra të tjera të komunës  së Deçanit  gjendja nuk është aspak  më e mirë, thonë konsumatorët.

“Siç po shihet edhe nga vet çeshmja janë diku mbi shtatë javë 11 fshatrat e rajonit tonë duke përfshirë Prejlepin, Irzniq, Prokollukë, Shapteji, Gramaqel, Gllogjan e deri në Ratishë nuk kemi ujë të pijes që me të vërtetë është një shqetësim i përvjetshëm jo vetëm i këtij viti përkundër asaj që gjithmonë e kemi ngritur këtë çështje. Shqetësuese është kur këto ditë të nxehta kur kanë ardhur edhe bashkëatdhetarë të shumtë e ne nuk kemi ujë për pije”, tha Adem Lushaj, konsumator nga Shapteji.

E problemet e vazhdueshme me furnizim me ujë nuk i kanë mohuar as zyrtarët e Ndërmarrjes së Ujësjellësit në Deçan.

“Është më se e vërtetë, kemi shumë problem me furnizim të ujit sepse kemi mungesë të ujit prandaj për këtë arsye i bëjmë edhe reduktimet. Reduktimet i bëjmë me arsyen se i lëmë e i mbushim rezervuarët që të paktën bile për aq kohë sa ka ujë rezervari njerëzit të kenë ujë në periudha të ndryshme siç e përcaktojmë. Ndërsa sa i përket e sidomos kur është fjala te presioni është se faktikisht ne kemi mungesë të ujit. Përpos atyre që e keqpërdorin, thjeshte e vjedhin ujin, ne kemi edhe njerëz që mendojnë se edhepse e kanë orën kanë të drejtë me i vaditë edhe kopshtet në këtë vlug në këtë vapë që nuk është e drejtë ani pse e paguan ujin”, tha Nasim Haradinaj, menaxher i Ndërmarrjes  Ujësjellësit në Deçan.

Sidoqoftë, Haradinaj ka një thirrje për të gjithë konsumatorët e komunës së Deçanit që të tregohen të kujdesshëm dhe ta kursejnë ujin në këto ditë me temperatura shumë të larta. /RTK/

Video

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit