IQMT verifikon njehësorët elektrikë, evidentohen devijime

- Advertisement -

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka vazhduar të martën aksionin për verifikimin e njehësorëve elektrikë, pas ankesave të shumta të konsumatorëve për parregullsi.

Sipas Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, kontrollet janë zhvilluar në bashkëpunim me Komisionin Ad Hoc të ministrisë, në rajonet e Prishtinës dhe Ferizajt.

Gjatë inspektimeve janë identifikuar disa njehësorë me devijime në orë dhe datë. Të njëjtit janë larguar nga përdorimi dhe janë dërguar për ekzaminim të mëtejshëm në laboratorët e Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës.

MINTI ka bërë të ditur gjithashtu se për njehësorët me afat të skaduar të vlefshmërisë janë iniciuar dy procedura gjobitjeje ndaj operatorit KEDS, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Ministria njofton se verifikimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Komunikata e plotë:

IQMT vijon aksionin për verifikimin e njehësorëve elektrikë pas ankesave të konsumatorëve

Gjatë ditës së sotme, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Komisionin Ad Hoc të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), ka vijuar aksionin për verifikimin e njehësorëve elektrikë për konsumatorët të cilët kanë paraqitur ankesa.

Gjatë këtij aksioni janë identifikuar raste të devijimeve në orë dhe datë në disa njehësorë elektrikë. Njehësorët ku janë konstatuar këto parregullsi janë tërhequr dhe janë dërguar për ekzaminim të mëtejshëm në laboratorët e Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës.

Ndërkohë, për njehësorët me afat të skaduar të vlefshmërisë, janë iniciuar dy procedura të gjobitjes ndaj operatorit KEDS, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Aksioni i sotëm është zhvilluar në rajonin e Prishtinës dhe Ferizajt, ndërsa në ditët në vijim, bazuar në planin operacional dhe në ankesat e konsumatorëve, verifikime të tilla do të shtrihen në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

MINTI fton të gjithë qytetarët që të raportojnë çdo parregullsi të mundshme lidhur me njehësorët elektrikë, përmes:

* numrit të telefonit: +383 (0) 46 311-000 (Viber)

* adresës elektronike: [email protected]

Të ngjashme

Të fundit