Paga e 13-të për sektorin publik e diskriminon atë privat, ekspertët: Në këtë kohë krize e inflacioni të gjithë qytetarët kanë nevojë për ndihmë

- Advertisement -

 

Të hënën, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e pagës së 13-të për të gjithë shërbyesit civilë të sektorit publik. Megjithatë, ky vendim nuk përfshin sektorin privat, duke nxitur reagime në vend.

Eksperti ekonomik, Safet Gërxhaliu, e ka cilësuar situatën aktuale në vend si të rënduar në disa dimensione. Sipas tij, Kosova po përballet njëkohësisht me krizë ekonomike, sociale dhe politike, ndërsa vendimet e tilla, si paga e 13-të duhet të analizohen me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse.

“Qytetarët e Kosovës në tërësi kanë nevojë për mbështetje, sidomos në kohë krize dhe inflacioni. Nuk duhet të ketë ndarje të pjesshme apo segmentim të mbështetjes. Pagesa e 13-të vetëm për administratën dhe anashkalimi i sektorit privat nuk përfaqëson drejtësi sociale”, ka theksuar Gërxhaliu, raporton Telegrafi.

Ai ka shtuar se sektori publik financohet drejtpërdrejt nga kontributet e sektorit privat dhe, si i tillë, çdo përjashtim i këtij të fundit nga politikat mbështetëse krijon pabarazi. Sipas tij, është koha për politika sociale gjithëpërfshirëse dhe jo të fragmentuara. Në këtë linjë, Gërxhaliu ka bërë thirrje për më shumë përgjegjësi politike dhe solidaritet në kohë krize.

 

 

“Politikanët duhet të mësojnë dy koncepte kyçe: kompromisin dhe sakrificën në interes të shtetit. Duhet më shumë fokus te qytetari dhe e ardhmja, e jo vetëm te lufta për pushtet”, ka deklaruar ai.

Edhe kryetari i Dhomës së Tregtisë, Skender Krasniqi ka reaguar ndaj këtij vendimi, duke theksuar rolin kyç të sektorit privat në ekonominë e vendit. Ai ka kujtuar se shumica e të hyrave buxhetore sigurohen pikërisht nga ky sektor.

“Sektori privat është shtylla kryesore e sigurimit të buxhetit të shtetit dhe shumica e të hyrave vijnë nga ky sektor. Ne e përshëndesim vendimin e Qeverisë për ndarjen e pagës së 13-të për sektorin publik, por mendojmë se Qeveria do të duhej t’i përkrahë edhe bizneset, në mënyrë që edhe ato të kenë mundësi të njëjta”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka nënvizuar se, sipas Kushtetutës së Kosovës të gjithë qytetarët janë të barabartë pavarësisht vendit të punës.

“Ndarja e buxhetit të shtetit duhet të bëhet në mënyrë të barabartë, duke marrë parasysh se, sipas Kushtetutës së Kosovës, qytetarët janë të barabartë pavarësisht vendit të punës. Punëtorët e sektorit privat janë ata që e mbushin buxhetin e shtetit dhe, së paku, do të duhej të trajtohen në mënyrë të barabartë me sektorin publik, i cili financohet nga ky buxhet”.

Krasniqi po ashtu ka shprehur shpresën që deri në fund të vitit të gjendet një zgjidhje e përbashkët mes Qeverisë dhe bizneseve, në mënyrë që edhe sektori privat të përfitojë nga masa si paga e 13-të.

“Urojmë që deri në fund të këtij viti, Qeveria së bashku me bizneset të gjejnë një zgjidhje të përbashkët, në mënyrë që edhe sektori privat të ketë mundësi për përfitimin e pagës së 13-të”, tha ndër të tjera Krasniqi.

 

Të ngjashme

Të fundit