Agim Ademi paralajmëron kombëtaren: S’duhet të jemi euforik, të japim 120%

- Advertisement -

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi i ka paralajmëruar futbollistët e kombëtares që të qëndrojnë me këmbë në tokë në duelin e gjysmëfinales së pllej-ofit për kualifikim në Kupën e Botës kundër Sllovakisë.

Ademi tha sot në një intervistë për agjencinë e lajmeve KosovaPress se atmosfera në grup një ditë para duelit, është e mirë.

 

“Jemi të hendikepuar pa dy super futbollistë, pa kapitenin dhe Leon Avdullahun, por shpresoj që edhe zëvendësuesit do të jenë po aq të përkushtuar dhe në nivel për këtë ndeshje”, tha ai. “Çka është e mira e kësaj ndeshje e shoh që secili futbollist është mentalisht i përgatitur për këtë ndeshje dhe nuk janë euforik, ashtu siç nuk duhet të jenë, sepse tashmë jemi një skuadër e pjekur”.

Ai tha se i ka lutur futbollistët që të japin 120 përqindëshin e tyre në sfidën e së enjtes mbrëma, transmeton Paparaci.

“Ne jemi të fokusuar vetëm te fusha dhe këtë herë i kam lutur futbollistët, u kam thënë atyre dhe po e them këtë publikisht: secila pjesë e yna duhet ta bëjmë 120% që t’i tejkalojmë të gjitha sifdat në fushë dhe në fund të dalim fitimtar sepse është një rast i madh që na ka ardhur e këtë shancë nuk duhet ta lëshojmë”, rrëfeu kryetari i FFK-së.

I pari i FFK-së nuk do që Vedat Muriqi, sulmuesi kryesor i kombëtares, të pensionohet pa e dërguar Kosovën së paku në një Botëror e në një Evropian.

Duke komentuar deklaratat e Muriqit rreth planeve për pensionim të hershëm nga kombëtarja, Ademi tha se Federata dëshiron që ai të jetë pjesë edhe e fushatës së ardhshme kualifikuese për Evropianin 2028.

 

“Dëshira jonë e madhe është që të bëjmë këtë hap, të shkojmë në Kupën e Botës e pastaj edhe në Evropian. Dëshira ime është që Vedati të jetë në këto dy kompeticione, por sigurisht që ai është aq i ndërgjegjshëm sa do që t’ua lirojë vendin gjeneratës së re në kombëtare”, deklaroi Ademi.

 

Të ngjashme

Të fundit