Besnik Tahiri nga AAK ka treguar se pse abstenuan teksa po bëhej votimi i Kryetares së Kuvendit dhe nënkryetarëve e ku shtroi pyetjen se pse nuk u konstitua Kuvendi para një viti.
“Në emër të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, më lejoni të them se Kosova humbi një vit. Kosova humbi për një vit të gjitha veprimet dhe të gjitha beneficionet që kish mujt me i pasë. Pyetja që sot i shtroj çdo qytetari të Kosovës: Pse nuk u konstituua Kuvendi para një viti? Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në dy votime abstenoi, për shkak se edhe atëherë, edhe tash, ka qenë pro konstituimit të Kuvendit. Ka dhënë alternativa dhe ka dhënë propozime përmes me ardhjen e ditës deri në këtë situatë kur Kosova humbi dhe qytetarët e Kosovës i morën rezultatet u dëmtuan specifikisht. Për Aleancën, jo pak, e nënkryetarët, padyshim që e zgjodhi një problem për shkak se një çështje politike e cila u ditë në kohën e zgjedhjeve të kaluara si problem politik, është kthy në një interpretim kushtetues. Pra, kjo u zgjodh përmes vendimit të Gjykatës Kushtetuese, mirëpo po ashtu edhe kjo pako ishte një lloj synimi i kamuflimit të votimit për nënkryetarë”, tha ai.
Ai përmendi edhe rastin e Sallavko Simiq.
“Në një kohë, Sllavko Simiqi, respektivisht deputeti i Listës Serbe nuk është pranu, ai u quajt terrorist kur ishte vetë, ndërsa kur hyri në pako u votua. Ne jemi pro konstituimit, abstenuam, mirëpo edhe këtë herë e dhamë qëndrimin tonë për shkak se ne mendojmë dhe vlerësojmë se kjo është një situatë e cila duhet të demaskohet dhe të kuptohet nga qytetarët e Kosovës”, nënvizoi ai.
Megjithkëtë, AAK do të marrë pjesë në seancën që do të thirret për formimin e qeverisë.
“Ne do të marrim pjesë. Nuk e dimë deri më tani cili është programi, nuk e dimë cila është lista e kandidatëve për ministra, mirëpo një e dimë: se siç ka ndodhë herën e kaluar po ndodhë edhe tani, në një procedurë të shpejtë, pa prezantimin e një programi, po vjen një kabinet qeveritar i cili kabinet ende është i panjohur për qytetarët e Kosovës, e ndërsa programi hiç e hiç. Ne ende s’kemi marrë asnjë program, presim të marrim programin, do të jemi në seancë dhe do të votojmë kundër kësaj”, tha ai






