-7.2 C
New York
Friday, January 30, 2026

Buy now

“Klithma” e Alketës, zë i fuqishëm kundër harresës

- Advertisement -

 

Moderatorja dhe poetja Alketa Gashi-Fazliu ka përuruar të premten në Prishtinë, në Institutin Albanologjik, librin “Klithma”, i cili trajton krimet serbe të kryera ndaj popullit shqiptar, me theks të veçantë vuajtjet e fëmijëve gjatë luftës në Kosovë, duke sjellë rrëfime që sfidojnë harresën dhe kërkojnë drejtësi. Në përurimin e këtij libri kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve, studiues, profesorë, akademikë dhe personalitete të jetës publike. Libri “Klithma” është vlerësuar si zë i fuqishëm kundër harresës dhe artefakt i vuajtjeve të popullit shqiptar të Kosovës

 

Në Institutin Albanologjik në Prishtinë të premten është përuruar libri “Klithma” dhe është hapur ekspozita po me këtë emër i autores Alketa Gashi-Fazliu.

 

 

Salla ishte e vogël në Institutin Albanologjik për t’i zënë mysafirët të cilët kanë marrë pjesë në përurimin e këtij libri, i cili është vlerësuar si artefakt historik i vuajtjeve nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar i Kosovës.

Në përurimin e librit “Klithma” morën pjesë edhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Petrit Malaj, heroina Vasfije Krasniqi, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, ish-drejtues të luftës së UÇK-së, publicistë, studiues, profesorë, akademikë dhe personalitete të jetës kulturore dhe diplomatike.

Libri “Klithma” përmbledh tetë rrëfime që dëshmojnë dhunën barbare të serbëve ndaj fëmijëve shqiptarë, duke sjellë rrëfime që sfidojnë harresën dhe kërkojnë drejtësi.

Humanistja Flora Brovina, dëshmitare e drejtpërdrejtë e krimeve të luftës, në përurimin e këtij libri ka ndarë përvoja tronditëse nga ajo periudhë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike për viktimat e pafajshme. Ajo e ka përgëzuar Alketa Gashi-Fazliun për nxjerrjen në dritë të krimeve që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë. Brovina ka thënë se edhe në të ardhmen duhet të botohen libra të tillë të cilët nxjerrin në pah gjenocidin që ka kryer Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Ndërsa ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka thënë se “Klithma” i autores Alketa Gashi-Fazliu është një zë i fuqishëm kundër harresës. Ai ka lartësuar profesionalizmin dhe përkushtimin etik që ka treguar autorja Gashi-Fazliu në librin “Klithma”. “Në faqet e këtij botimi nuk gjenden vetëm tregime, por zëra fëmijësh që u ndërprenë dhunshëm nga historia. Histori që mbajnë brenda dhimbjen e pafajësisë së shkelur dhe plagën e hapur të një krimi që ende kërkon drejtësi. Klithma është thirrja e atyre që nuk patën mundësi të rriten, të ëndërrojnë dhe të jetojnë. Autorja Alketa Gashi Fazliu, pa dyshim një emër i njohur, i respektuar i gazetarisë, ka dëshmuar gjithë këto vite një përkushtim profesional dhe etik, me ndjeshmëri njerëzore, me integritet, me guxim”, ka thënë Malaj, duke shtuar se autorja Gashi-Fazliu nëpërmjet këtij libri ka arritur ta bashkojë fuqinë e faktit me ndjeshmëri të rrëfimit letrar. “Ajo nuk shkruan për të na tronditur neve, por për të mos lejuar harresën. Nuk shkruan për të nxitur urrejtje, por për ta përçuar të vërtetën”, ka thënë Malaj.

Në anën tjetër, akademik Pëllumb Xhufi e ka vlerësuar librin “Klithma” si dëshmi e rëndësishme historike mbi vuajtjet dhe rezistencën e popullit shqiptar. Xhufi ka thënë se libri “Klithma” ka prekur qelizën me të ndjeshme, atë të fëmijëve ndaj të cilëve është ushtruar gjenocid nga Serbia. Për këtë libër të veçantë, Xhufi ka falënderuar Gashi-Fazliun.

Më tutje, historiania Sabile Keçmezi-Basha, duke folur për librin “Klithma”, ka thënë se autorja Alketa Gashi-Fazliu është zë që depërton thellë ndërgjegjen e kombit shqiptar. “Alketa nuk është historiane, por shpesh bën këtë punë”, ka thënë Keçmezi-Basha, duke shtuar se libri “Klithma” nuk është vetëm klithmë në letër, por klithmë për një popull të terë.

“… është thirrje për të mos harruar, për të mos heshtur dhe për të mos u pajtuar me harresën”, ka thënë ajo.

Kurse publicisti Aleksandër Çipa ka thënë se libri “Klithma” është një artefakt historik ku pasqyron vuajtjen dhe persekutimin e shqiptarëve të Kosovës. “Është një artefakt dhe një histori, është një vitalitet njerëzor që thotë: edhe pse jetën e kam të gjymtuar, jetën do ta bëj të bukur”, ka thënë publicisti Çipa.

Krejt në fund dhe e emocionuar ka mbajtur një fjalë rasti edhe autorja e librit “Klithma”, Alketa Gashi-Fazliu. Ajo ka thënë se qëllimi i këtij libri është t’u përcillet brezave të rinj e vërteta për krimet dhe gjenocidin e ushtruar nga Serbia ndaj shqiptarëve. Gashi-Fazliu ka thënë se “Klithma” është ndërgjegje kolektive që nuk duhet të heshtë. “Në shtëpinë time lufta nuk do të përfundojë asnjëherë dhe ju e dini për çfarë po flas. Unë ditë e natë përballem me plagët e barbarit serb që ka shkaktuar mbi fëmijët, mbi të rinjtë e të rejat, mbi njerëzit e kësaj toke. Fëmijëve ua kujtoj çdo ditë e çdo natë se si duhet ta duan tokën e tyre, gjuhën e tyre dhe dheun e tyre. Në qoftë se mendoni që mund të kem bërë diçka dhe kam gjak shqiptari në deje, kjo është falë prindërve të mi që i kam aty, që çdo ditë, çdo natë, vite me radhë dhe vazhdueshëm na i kanë përsëritur mua, vëllezërve dhe motrës që kjo është toka juaj dhe nëse është nevoja, duhet ta lini edhe kokën. Uroj që mos të vijë ajo ditë, por nënë dhe baba faleminderit që erdhët nga Gjermania… ‘Klithma’ nuk është zhurmë dhe nuk dua të bëj zhurmë. ‘Klithma’ është ndërgjegje dhe uroj që të na përcjellë gjatë”, ka thënë Gashi-Fazliu.

Në promovimin e librit “Klithma” aktori Xhevat Limani ka interpretuar një fragment nga ky libër duke u dhënë zë emocioneve dhe klithmës së fëmijëve të pafajshëm të cilët kanë pësuar nga regjimi gjenocidal i Serbisë. /Epoka e re/

       

   

 

 

 

Të ngjashme

Të fundit