2.2 C
New York
Wednesday, December 10, 2025

Buy now

Osmani: Kosova nuk do të lejojë që krimet të harrohet e gjenocidi të mohohet

- Advertisement -

 

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut është hapur ekspozita “E vërteta, kujtesa, drejtësia”, e cila është një thirrje për drejtësi dhe dokumentim të krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.

Imazhe të trenit me qytetarë të cilët po largoheshin nga Kosova gjatë luftës, arkivole të të vrarëve, fëmijë e nëna që mundoheshin t’i mbijetonin luftës, janë vetëm disa nga pamjet që sot u shfaqën në këtë ekspozitë, të cilën nga afër e panë edhe presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti, diplomatë të vendeve të ndryshme në Kosovë dhe familjarë të personave të zhdukur.

Presidentja Vjosa Osmani tha se regjimi i kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq shkaktoi dhimbje që nuk shuhen asnjëherë. Ajo tha se është urgjencë kombëtare që krimet e kryera gjatë luftës të dokumentohen dhe të kërkohet drejtësi, raporton KP, transmeton Klankosova.tv

E para e vendit tha se Kosova nuk do të lejojë që krimet të harrohet e gjenocidi të mohohet dhe ekspozita e sotme ‘E vërteta, kujtesa, drejtësia’ nuk është thjesht një shfaqje fotografish, por një dëshmi që tregon se nuk do të lejohet që e vërteta të shtrembërohet.

“Janë pamje e fuqishme se nuk do të lejojmë që e vërteta të shtrembërohet, nuk do të lejojmë që kujtesa të shuhet. Do të përkujtojmë fëmijët e vrarë, nënat e baballarët që nuk u kthyen kurrë, familjet që humbën gjithçka, ata që u zhdukën me dhunë. Për secilin prej tyre, për gratë që përjetuan tmerrin e dhunimit në kohë lufte dhe çdo viktimë të luftës. Secilin pa dallim, për secilën prej tyre kërkojmë drejtësi. Të mbijetuarit që jetojnë sot me plagë fizike, por mbi të gjitha plagë shpirtërore, janë personifikim i rezistencës dhe dinjitetit njerëzor; janë zëri i së vërtetës që asnjëherë nuk do të heshtet. Kosova nuk do të heqë dorë, nuk do të lejojmë që krimet të harrohen, nuk do të lejojmë që gjenocidi të mohohet. Për secilin person të zhdukur, për secilin fëmijë të vrarë, për secilën viktimë të dhunës seksuale do të flasim këtu dhe në çdo vend të botës; drejtësi do të kërkohet pa ndalur dhe e vërteta duhet të dëgjohet”, shtoi Osmani.

 

Të ngjashme

Të fundit