Shkruan: Agron Hoti
Duke qenë se hapësirat shqiptare janë bërë ndër caqet kryesore në Ballkan, ku nga qarqe dashakeqe serbo-ruse po nxitet islami politik e radikal, pa i përjashtuar këtu edhe ndikimet e ndryshme (sado të intensitetit më të ulët) të lartësimit të krishterizmit kundrejt feve të tjera, atëherë shqiptarët kudo që janë – për ta forcuar sa më shumë identitetin e tyre kombëtar – duhet që të investojnë sa më shumë në zhvillim ekonomik, arsim e shëndetësi si dhe të lidhen e të integrohen sa më shumë me Perëndimin.
Historia e ka dëshmuar që zhvillimi i hovshëm ekonomik ka sjellë mirëqenie të lartë sociale nëpër shoqëritë perëndimore dhe kjo i ka bërë ato që të mbështeten gjithnjë e më pak te autoritetet fetare duke e bërë, kështu, fenë çështje individuale e jo presion shoqëror. E njëjta gjë do të mund të ndodhë edhe me hapësirat shqiptare, kuptohet, nëse shqiptarët vazhdojnë ta ruajnë kursin e tyre properëndimor e jo siç po rrëshqasim në antiamerikanizëm dhe antiperëndimizëm duke rënë pre e sentimenteve të problemeve të Lindjes së Mesme, të nxitura nga Rusia me aleatë të saj për të gjetur argumente ku janë e ku s’janë me qëllim hasmimi të shqiptarëve me Perëndimin e kryesuar nga SHBA.
Nuk do koment që një zhvillim ekonomik i hovshëm nëpër hapësira shqiptare i shoqëruar dhe me arsim e shëndetësi më të mirë, automatikisht do të përkthehej në mirëqenie dhe rritje të sigurisë sociale. Kjo pashmangshëm që do ta rriste rezonimin tonë shoqëror e kombëtar, do ta forconte mendimin kritik, do ta ulte dogmatizmin fetar e bashkë me të edhe radikalizmin, pastaj do ta rriste shkallën e tolerancës dhe akceptancës fetare, do ta kthente fenë në çështje personale e jo si imponim shoqëror si dhe do ta dobësonte apo thënë më mirë do ta minimizonte manipulimin fetar politik.
Shqiptarët e kanë jetike të ecin rrugës transatlantike duke e ruajtur trekonfesionalizmin si vlerë që s’e ka askush në Perëndim si dhe duke u integruar sa më shumë në politikën dhe ekonominë perëndimore. Vetëm kështu, shqiptarët kudo që janë do t’i minimizojnë synimet dashakeqe të Serbisë e Rusisë me aleatë të tyre orientale që s’rreshtin së përpjekuri tjetërsimin tonë kombëtar përmes mbitheksimit të përkatësisë fetare përballë asaj kombëtare. A.H.






