Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar se ka pranuar rastin e sulmit me mjet të mprehtë ndaj zyrtarit të Bashkimit Evropian në Gjakovë dhe ka filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore.
Për Klan Kosova, zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Arbnora Luta, ka bërë të ditur se janë duke u kryer hetimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Prokuroria Speciale ju njofton se nga momenti kur e ka pranuar rastin në trajtim, ka filluar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi. Në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës, Prokuroria Speciale është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të gjendjes faktike. Duke theksuar se rasti është në fazën fillestare të hetimeve, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor, në këtë fazë nuk mund të ndajmë më shumë informacione”, tha Luta.
Në anën tjetër, në raportin 24 orësh të Policisë thanë se viktima kishte kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë pasi kishte dy plagë që dyshohet se i janë shkaktuar nga mjeti i mprehtë. Rasti u iniciua si “Vrasje në tentativë”.






