8.4 C
New York
Sunday, October 27, 2024

Buy now

10 mesazhe, 48 thirrje, 5 kërkesa për takim: Kryetarët e komunave ankohen s’e s’po mund të komunikojnë me ministrat

- Advertisement -
Kryetarët e Komunave të Kosovës si rrallë herë janë duke e shprehur një shqetësim që jo fort të dëgjuar më parë. Disa prej tyre, kanë deklaruar se është bërë e vështirë komunikimi i tyre me Ministrat e Qeverisë së Kosovës, duke kuptuar që puna e tyre është “zingjir”, ata kanë shprehur se kanë dërguar dhjetëra mesazhe ministrave të caktuar dhe asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje, as me shkrim dhe as më zë, madje duke refuzuar edhe takimet sy me sy, mirëpo ka disa që janë të “shkëlqyer” për bashkëpunim.

Ishte kreu i Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili tregoi se i ka shënuar 10 herë dhe e ka thirrur 48 herë Ministrin e Financave, Hekuran Muratin, por i njëjti asnjëherë nuk i ka kthyer mesazhe dhe as nuk e ka hapur telefonin.

“Për mu tepër i rëndësishëm është komunikimi. Kur nuk ki komunikim, është tepër i zorshëm, sepse ti mundesh me i shkru ma shumë se 10 herë letër, unë kam rast që 48 herë i kom qu letër ministrit dhe kjo është fjalë publike që unë po e themë, i kom qu ministrit të Financave, Hekuran Muratit. I kom qu letër dhe nuk është që është përgjigje ndonjëherë, ose e kam thirr më shumë se 40 herë dhe nuk di a ma njeh telefonin po a s’ma njeh, por kur i shkruj jam kryetari i Komunës, s’paku është dashtë për mirësjellje me thanë jam zënë, apo s’kam kohë.” – ka bërë të ditur Ramosaj, në një intervistë për Kosova Live.

Madje Ramosaj i ka quajtur qeveritarët “inatqorë dhe të mllefosur”.

Që komunikimi me Ministrat e Qeverisë Kurti është i vështirë, e ka thënë edhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ku ka treguar se “pesë herë” i ka kërkuar takim Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çekut, por se i njëjti e ka refuzuar.

Totaj madje pretendon se përveçse refuzohet nga ministri Çeku për takime “që janë me interes për zhvillim të Prizrenit”, ky i fundit nuk ia kthen përgjigjet as në formë të shkruar.

Në kontrast me ministrin e kulturës, Totaj e vendosi zv/ministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishin, për të cilin tha se “është shembull i mirë i bashkëpunimit”, duke folur për Tv Dukagjini.

“Unë jam përafërsisht gati 2 vjet kryetar i Prizrenit, kam një komunikim shumë të mirë me diplomatë ndërkombëtar, të shteteve të QUINT-it ShBA-së etj…, të cilët vijnë ka dy herë në zyre në Prizren, nuk mund të them të njëjtën gjë për ministrat. Po du me marre një shembull pozitiv te zëvendësministri i Infrastrukturës me të cilin kemi një bashkëpunim të mirë dhe është gatshëm për bashkëpunime…po u jap një shembull të keq, ministri i Kulturës që vjen nga Prizreni, pesë herë i kam shkuar i kam kërkuar takim për tema që janë me interes për zhvillim e Prizrenit, lerë që nuk pranon takim po as nuk ma kthen email-in. Mendoj që është nj shembull jo i mire është një qasje jo e mirë.” – ka thënë Totaj.

Për këtë çështje ka folur Ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili tri ditë më parë në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë është pyetur për deklaratën e kryetarit Ramosaj.

Murati ka thënë se ekziston linja e komunikimit institucional.

“Sa i përket komunave ekziston linja e komunikimit institucional që sa i përket buxhetit komunal ekziston legjislacioni në fuqi që përcakton mënyrën se si përcaktohet buxheti i komunave, që së fundmi e kemi dorëzuar qarkoren e dytë për komunat që janë 742 milionë euro buxhet për komunat.” – ka thënë ai.

Ndër të tjera, Murati ka thënë se nëse në të kaluarën ka pasur ministra që kanë takuar më shpesh kryetarët e caktuar që kanë qenë në të njëjtën vijë politike, edhe sipas tij kjo praktikë nuk ekziston tashmë.

“Nëse në të kaluarën ka pas ministra që kryetarët e caktuar të komunave që kanë qenë në të njëjtën vij partiake i kanë taku pak më shpesh, e kanë bërë përjashtime për kryetar të caktuar kjo praktik nuk ekziston tek ne tashmë, të gjitha komunat janë të barabarta dhe të gjitha komunat e kanë mënyrën e komunikimit institucional me Ministrinë e Financave.” – ka thënë ministri i Financave, Hekuran Murati.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit