Telekomi i Kosovës ka njoftuar të martën se ka nënshkruar kontratë me platformën shqiptare DigitAlb për e transmetimit të kanaleve të saj për gjatë dy viteve të ardhshme.
Edhe pse Telekomi i Kosovës nuk ka njoftuar për çmimin e kontratës, por ajo është nënshkruar për 1.3 milionë euro.
Sipas njoftimit të Telekomit, përmes kësaj pako, klientëve e Telekomit do t’ju ofrohet qasje në kanalet televizive dhe në në ligat kryesore të futbollit evropian.
“Kësisoj, abonuesve të Telekomit të Kosovës do t’u ofrohen kanalet dhe përmbajtja më e kërkuar televizive në hapësirat shqipfolëse. Këtu përfshihen: Top Channel, Klan Shqipëria, Klan Maqedonia, ligat më të njohura të futbollit evropian, filma të zhanreve më të shikuara, seriale me karaktere mbresëlënëse, programe edukative, dokumentarë magjepsës, BBVA3 që vjen në ekranet kosovare ekskluzivisht nëpërmjet TV Vala dhe shumë e shumë kanale të tjera të platformës DigitAlb, krahas atyre të Tring.”
“Nga kanalet sportive, pakot e reja të Telekomit të Kosovës përfshijnë edhe kanale sportive me lojërat e ligave më të njohura botërore, që ju mbajnë në teh të kolltukut, si: Liga Angleze “Premier League”, Liga Gjermane “Bundesliga”, Liga Italiane “Serie A”, Liga Holandeze “Eredivisie”, përfaqësuesja e Kosovës, FA Cup, kupat e Spanjës, FFF Coupe de France, kupa e Holandës, si dhe shumë evente të tjera sportive.” – thuhet ndër të tjera në njoftimin e tyre në Facebook.
Çka thuhet në draft-kontratën Telekom – DigitAlb?
Sipas njoftimit të publikuar në “e-prokurimi”, kontrata është shpallur përsm prodedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.
Në këtë kontratë thuhet se kohëzgjatja e kësaj kontrate do të jetë 2-vjeçare dhe se pagesa do të bëhet në bazë të dakordimit me çmimin abonent.
“Vlera totale e vleresuar e kontrates eshte 1,300,000.00 Euro per nje periudhe te dy vjecare, ndersa pagesa do behet ne baze te dakordimit me cmimin per njesi per abonent.” – thuhet aty.
Ndërkaq, në Dosjen e Tenderit të cilën e ka parë Nacionale, Telekomi ka përzgjedhur kanalet gjatë fazës së negociatave, e në këtë rast aty thuhet se do të mirren për bazë edhe kërkesat e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).
Gjithashtu, në dosje theksohet se kanalet e filmave duhet të jenë të titurar në gjuhën shqipe ose të sinkronizuara.
“Kanalet e filmave duhet të jenë të titruara në shqip ose mundësisht të sinkronizuara në gjuhën shqipe dhe të ketë mundësi që të bëhet zgjedhja e gjuhës origjinal apo e sinkronizuar në gjuhën shqipe. Të frohen edhe kanale ndërkombëtare dhe premium sipas mundësive që ka Digitalb.” – thuhet në dosje.
Në draft-kontratën mes Telekomit dhe DigitAlbit, theksohet se nëse zëvendësohet një kanal me një kanal tjetër, atëherë kontrata parasheh që të lejohet zbatimi i reduktimit me 3% të çmimit për abonent.
“DIGITALB TV garanton dhe mban përgjegjësi për secilin kanal të ofertuar. Ndërkohë, Telekomi i Kosovës pajtohet plotësisht në lidhje me zevendesimin e çdo kanali, nëse humbet e drejta, me një kanal të të njëjtës cilësi ose me cilësi më të lartë. Në të kundërt lejohet zbatimi i reduktimit me 3% të çmimit për abonent.” – thuhet në draft-kontratë.
Më tej, në draft-kontratë thuhet se nëse ka ndryshime mbi të drejtat e transmetimit të kanaleve, dakordimi mes palëve duhet të bëhet 15 ditë para se të hyjë në fuqi ndryshimi.
“DIGITALB TV do të njoftoj Telekomin e Kosovës dhe të dy palët do të diskutojnë impaktin dhe për të gjetur zgjidhje adekuate dhe të pranueshme për Telekomin e Kosovës, nëse gjatë afateve të vlefshmërisë se kësaj kontrate do të këtë ndryshime mbi të drejtat e transmetimit të kanaleve. Ky dakordim duhet të kryhet të paktën 15 ditë para se ndryshimi të behet efektiv.” – thuhet aty.