![Pajaziti: Sjellja e Serbisë duhet të dënohet nga ndërkombëtarët Pajaziti: Sjellja e Serbisë duhet të dënohet nga ndërkombëtarët](https://gazetascanner.com/wp-content/uploads/2022/10/Screenshot-2022-10-27-234712-1024x505-1.jpg)
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, tha se nuk është aspak risi sjellja e Serbisë ndaj Kosovës për vite të tëra.
Këtë deklaratë Pajaziti e bëri duke komentuar ndalimin e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi në Serbi nga Policia e këtij shteti.
Sipas ish-ministrit të Punëve të Brendshme, kjo sjellje e Beograditi zyrtar është për t’u dënuar jo vetëm nga Kosova, por edhe nga ndërkombëtarët.
“Është një vazhdimësi e veprimeve serbe karshi Kosovës, përfaqësuesve zyrtarë të institucioneve të Kosovës dhe është e dënueshme, mendoj që më shumë sesa ta vlerësojmë ne institucionet e BE-së, institucionet ndërkombëtare ta shohin se në çfarë gjendje është në prag të arritjes së një marrëveshje mes nesh, ta shohin se në çfarë pozicioni është Beogradi. Është për ta dënuar por më shumë sesa ne janë ndërkombëtarët dhe partnerët që monitorojnë regjionin tonë”, tha Pajaziti.
Anëtari i Kryesisë së PDK-së tha se kjo sjellje penguese për aktivitet e Kosovës e dëshmon që serbët nuk janë të gatshëm të përballën me praninë e Kosovës në angazhimet të ndryshme regjionale dhe të tjera.
“Më parë ata e kanë nënshtruar ndikimin e vet edhe në aktivitete të tjera në të cilat Kosova ka qenë pjesë e këtyre angazhimeve regjionale.Në aktivitet tona në Sarajevë pavarësisht që u bëmë pjesë e organizatës për bashkëpunim rajonal, ishim të privuar nga ajo e drejtë normale e qarkullimit tonë atje për shkak të ndikimit serb në pjesën që ndikojnë në Bosnje”, shtoi ai.
Tutje Pajaziti tha se Institucionet e Kosovës duhet ta vlerësojnë me kohë çdo lëvizje apo aktivitet të Serbisë në mënyrë që të mos bien në skenarët që serbët i kanë bërë dhe po i bëjnë vazhdimisht.
Ndërkohë, Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi i është ndaluar sot vizita dyditore në Serbi nga Policia e këtij shteti, ku ishte paraparë të merrte pjesë në dy konferenca.
Bislimi ishte paraparë të merrte pjesë në diskutimet me temën “Kosova dhe perspektiva evropiane e rajonit”, në kuadër të Forumit për Marrëdhënie Etnike, që mbahet më 27 tetor.
Ai po ashtu pritej që të premten të merrte pjesë në Konferencën e Sigurisë së Beogradit dhe do të jetë pjesë e panelit me temën “Kosova dhe Serbia – shmangia e rrugës pa dalje”. /Teve1.info/