Profesori universitar, Blerim Latifi ka thënë se mësuesit kanë të drejtë të kërkojnë paga më të larta, mirëpo sipas tij, ky moment nuk është i duhuri.
Përmes një shkrimi në Facebook, Latifi thotë se qeveria medoemos do të merret me pagat e mësuesve, por se sipas tij, momenti për grevë duket i pamenduar mirë.
“Mësuesit kanë të drejtë të kërkojnë paga më të larta, sepse kriza ekonomike, me rritjen enorme të çmimeve, e ka devalvuar shumë edhe pagën ekzistuese që e marrin. Dhe qeveria nuk ka me pasë çare pa u marrë me këtë çështje”, tha ai.
Tutje, Latifi shkroi se ky moment nuk është i duhuri për grevë, pasi që më 1 shtator mund të ketë rezistencë të dhunshme në veri të Kosovës.
“Por momenti i zgjedhur për grevën më duket i pamenduar mirë, sepse fare lehtë mund të ndodhë që me 1 shtator në veri të ketë rezistencë të dhunshme nga bandat e Vuçiqit e agjentët e Putinit që nuk duan ta lejojnë shtrirjen e ligjit kosovar atje dhe njëkohësisht në pjesët tjera të vendit sistemi të zgjohet në mëngjes i paralizuar nga grevat.
Nëse kjo ndodhë, atëherë ne me një shembull të ri do ta pasurojmë listën e gjatë të budallallëqeve tona”, tha ai.