Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, të mërkurën ka marrë pjesë në tryezën me temën “Luftimi i Korrupsionit në Prokurimin Publik”, të organizuar nga Iniciativa për Progres – INPO në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2022”. Z. Halilaj së bashku me panelistët e tjerë kanë diskutuar për të arriturat, sfidat dhe dobësitë në prokurimin publik si dhe luftën kundër korrupsionit në prokurim.
Diskutimi është fokusuar në temat: Mbikëqyrja dhe shqyrtimi i prokurimit; Sundimi i ligjit dhe llogaridhënia; Efektet e raporteve të auditimit në luftën kundër korrupsionit në prokurimin publik; Bashkëpunimi i sistemit prokurorial me institucionet tjera në luftimin e kriminalitetit në prokurim publik; si dhe Ndryshimet ligjore të propozuara në prokurim: A e trajtojnë fenomenin e korrupsionit dhe keqpërdorimit të parasë publike.
Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, ka folur për efektet e raporteve të auditimit në luftën kundër korrupsionit në prokurimin publik, me ç’rast ka thënë se prokurimi publik është pjesa më e ndjeshme ndaj korrupsionit dhe se në vështrim të përgjithshëm tenderimi shihet si proces ku zyrtarët publik mund të keqpërdorin autoritetin e tyre zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore. Një këndvështrim të tillë e reflektojnë edhe raportet e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit në Kosovë, që tregojnë se një numër i konsiderueshëm i gjetjeve apo shkeljeve të identifikuara gjatë auditimeve i referohen kësaj fushe.
Bazuar në rezultatet e auditimit, z. Halilaj ka thënë se duhet të punohet akoma më shumë për sisteme më të avancuar të kontrollit të brendshëm, në mënyrë që hallka e sistemit të menaxhimit të parasë publike të përmirësohet në vazhdimësi. Bartësit e institucioneve duhet të marrim masa që personat që abuzojnë me detyrën zyrtare të vihen para përgjegjësisë, që sistemi i llogaridhënies të funksionojë si një nga masat më efektive në luftimin dhe parandalimin e dukurive negative. “Në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore Auditori i Përgjithshëm dhe Zyra Kombëtare e Auditimit, besoj fuqishëm që është duke e kryer misionin e vet që përmes rekomandimeve të auditimit të mundësojë që prokurimi publik të jetë një proces transparent dhe llogaridhënës duke ofruar mallra, shërbime dhe investime sa më ekonomike dhe cilësore”, është shprehur Halilaj.
Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, ka treguar se ZKA-ja në sezonin auditues 2021-2022 ka kryer 134 auditime dhe ka dhënë 861 rekomandime në baza vjetore, vetëm në fushën e prokurimit gjatë kësaj periudhe janë dhënë 138 rekomandime.
Tutje Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, ka folur për rolin dhe rëndësinë e Njësisë kundër mashtrimit në ZKA-së që merret me identifikimin e mashtrimeve potenciale dhe shkeljeve të tjera në këtë fushë që pastaj i dërgon tek Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ku vetëm për sezonin e fundit auditues janë raportuar 77 raste të kësaj natyre.