![Tahiri: AAK është “në terr informativ” për dialogun Kosovë-Serbi Tahiri: AAK është “në terr informativ” për dialogun Kosovë-Serbi](https://gazetascanner.com/wp-content/uploads/2022/05/besnik-tahiri-2-1024x519-1-600x360-1.jpg)
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konsideron se ka mbetur tërësisht e painformuar rreth procesit të dialogut Kosovë-Serbi.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se ka mungesë të transparencës nga ana e qeverisë lidhur me këtë proces, ndërsa ka shtuar se prezenca e të dërguarit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Kosovë e ndihmon vendin në synimin e marrëveshjes finale.
Tahiri ka thënë se çështja e dialogut Kosovë-Serbi duhet të kalojë në nivelin më të lartë nën lidershipin amerikan.
“Sa i përket dialogut, ne si parti parlamentare jemi në terr informativ. Ne nuk jemi të informuar, vetëm i kemi dhënë pozicionet politike në mbështetje, por ekziston një terr informativ prej anës së qeverisë. Në anën tjetër, afatet kohore nuk mund t’i përcaktojmë ne, ato përcaktohen në një moment të caktuar kur akterët merren vesh dhe ne kemi kërkuar që akteri kryesor të jetë SHBA-ja në këtë pjesë”, ka thënë Tahiri në një konferencë për media.
Ai ka kritikuar qeverinë për fokus, sipas tij, në marrëveshje teknike.
“Ajo çfarë po ndodh deri më tani, fokusi është në marrëveshje teknike, të vogla, diskutohet për targa, diskutohet për çështje të tjera e nuk diskutohet për esencën e problemit. Esenca e problemi është marrëveshja, kjo vonesë është e pafalshme dhe si e tillë do të duhej të trajtohej po ashtu me urgjencë… Fatkeqësisht, kemi mungesë të transparencës nga ana e jonë dhe nuk kemi qartësi në këtë drejtim, flitet për një dokument, por nuk ka vizion strategjik. Prezenca e Escobar e ndihmon synimin e Kosovës për një marrëveshje finale dhe njëkohësisht ne inkurajomë që kjo të vazhdojë”, ka thënë ai.
Ndryshe, në Kosovë po qëndron zëvendës ndihmës sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështje evropiane dhe euroaziatike, njëherësh i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ai është pritur në takime nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.