Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në uzinën ushtarake të Gramshit, dhe arrestimin si pasojë e dy shtetasve rusë dhe një ukrainas.
Rama në një postim në Twitter ka ironizuar valën e kritikave për menaxhimin e situatës, që iu drejtua veçanërisht nga opozita.
“Me u gjet Kola në punë!” është një shprehje popullore që kaq shumë u shkon mbrojtësve të zellshëm të Sigurisë Kombëtare, shfaqur me të gjitha bateritë në ekrane, portale e faqe personale, duke mos lënë gjë pa thënë përveç të vërtetës: Institucionet kanë funksionuar siç duhet!” shkroi Rama.
Rama kishte reaguar mbrëmë duke thënë se tre të arrestuarit dyshohen për spiunazh, dhe duke u shpallur krenarë për rojet ushtarake që i neutralizuan tre të huajt.
Ditën e djeshme, në ambientet e uzinës ushtarake në Gramsh dy ushtarë mbetën të lënduar pasi kapën një shtetas rus që tentoi të futej brenda, pasi rusët i drejtuan një lëndë me përbërje kimike.
Shtetasit rus Svetlana Timofoeva, 33-vjeçe dhe Mikhail Zorin, 24-vjeç u shoqëruan në komisariat, së bashku me bashkëpunëtorin e tyre ukrainas, F. A., 25-vjeç, duke rrezikuar një dënim të gjatë.