Prokurorja në Prokurorinë Speciale të Kosovë, Drita Hajdari tha se krimet e ndodhura gjatë luftës janë ende barrë që e ngarkojnë shoqërinë në vend. Hajdari ka fajësuar UNMIK-un dhe EULEX-in, të cilët kanë bërë shumë pak në këtë drejtim në kohën kur e kanë pasur për detyrë të trajtojnë këto raste.
“Krimet e luftës në mesin e të cilave dhuna seksualë gjatë luftës është barrë që e ngarkon shoqërinë tonë. Është çështje që pas luftës është folur me një dozë turpi e dëshpërimi se çfarë ka ndodh në Kosovë, mirëpo falë shoqërisë civile dhe institucioneve te cilat filluan t’i trajtojnë këto raste dhuna seksuale gjatë luftës doli nga errësira. Mirëpo ende nuk ekzistojnë statistikat reale për numrin e personave të dhunuar në Kosovë dhe akoma para prokurorisë speciale është sfidë e madhe për zbulimin dhe regjistrimin, hetimin e këtyre krimeve. Ajo që e ngadalësoi punën tonë ishte fakti se pas luftës neve prokuroreve nuk na është lejuar t’i ndjekim këto vepra penale, pasi kjo punë i është besuar fillimisht UNMIK-ut pastaj EULEX-it, të cilët kanë bërë shumë pak fatkeqësisht. Dhe për kundër mundësive që kishin misionet për sundimin e ligjit në këtë fushë ka mbetur një numër i madh i lëndëve, pas misionit të EULEX-it që janë 900 lënde dhe 200 dosje për të zhdukur.
Ajo tha se ende nuk janë të kënaqur me numrin e viktimave të paraqitura, pavarësisht se pas marrjes së kompetencave nga prokuroria vendore që ishte fundi i vitit 2018, është vërejtur një paraqitje e shtuar nga ana e viktimave, në krahasim me 20 vitet e mëparshme.
Më tej, Hajdari tha se identifikimi i fajtorëve ka qenë po ashtu i vështirë.
“Pres që në të ardhmen të kemi më shumë raportime për dhunë seksuale sepse këto janë krime që nuk guxojnë të heshtën, duhet të raportohen pa ndonjë shpresë se për secilin krim qe do të zbulohet edhe kryerësi. Identifikimi i kryerësve është një sfidë dhe problem i madh sepse kanë ardhur do ushtarë, paramilitarë jashtë Kosovës të panjohur për viktimën. Për ata vendor qe i kanë kryer këto krime kemi arritur t’i identifikojmë disa prej tyre, njëri prej tyre është ekstradu nga Mali Zi, po ashtu kemi filluar me aplikimin e ligjit në mungesë, ky ligj ka përcaktuar disa kritere që marrin pak kohë”, tha ajo.
Hajdari në fund ka ftuar të gjitha viktimat seksuale për t’i raportuar rastet.
Drejtoresha e QKMRT-së, Feride Rushiti tha se fatkeqësisht edhe në rrethanat pas luftës vuajtjet e gravë që kanë përjetuar dhunë nuk ndihen shumë.
Derisa shtoi se në Kosovën e pasluftës kanë qenë OJQ-të që kanë mbajtur gjallë këtë grup.
Ajo tha se gratë përtej se duhet ta kenë mbështetjen nga institucionet, ato duhet të marrin masa edhe nga vendet që kanë ushtruar këtë krim dhe kërkim falje.
Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë po vazhdon në Prishtinë me panele të tjera të diskutimit.