Agjencia Kundër Korrupsionit ka publikuar para disa ditësh deklarimet e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik të Kosovës.
Në mesin e tyre është edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, shkruan lajmi.net.
Në deklarimin e kësaj të fundit është vërejtur një shumë e madhe e parave që ajo merr në formë të mëditjeve brenda vitit.
Sipas deklarimit, Osmani në vit ka marrë 6 mijë e 223 euro në formë mëditjesh nga udhëtimet.
Kjo shumë, pjesëtuar me 12 muajt e vitit, nënkupton që Osmani mesatarisht në muaj merr 518 euro, një pagë mbi mesataren në Kosovë.
Përveç kësaj, në vit, presidentja e vendit merr edhe 32 mijë e 922 euro pagë vjetore.
Mbi 37 mijë euro pagë nga buxheti i shtetit merr edhe bashkëshorti i presidentes Osmani, Prindon Sadriu.
Osmani në AKK i ka deklaruar edhe mbi 41 mijë euro para të gatshme që i mbanë në bankë. /Lajmi.net/