Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim presidenten hungareze, Katalin Novak.
Pas këtij takimi, presidentja Osmani ka falënderuar shtetin e Hungarisë për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës.
“Hungaria na qëndroi në krahë në momentet të ndryshme, përfshirë edhe kohën e përballjes me pandeminë. Raportet tona janë të bazuara mbi një bazament të fuqishëm historik e mbi të gjitha na bashkojnë vlerat e përbashkëta. Hungaria gjithnjë ka përkrahur liberalizimin e vizave për Kosovën, andaj iu ftoj që sërish të jeni kampion në këtë përkrahje.Ne llogarisim në rolin tuaj aktiv brenda institucioneve të Bashkimit Evropian, por edhe tek anëtarët veç e veç në mënyrë që liberalizimi i vizave për kosovarë të përfundojë gjatë këtij viti, gjatë qeverisjes çeke sepse është koha. Llogarisim edhe në mbështetjen e Hungarisë në procesin e liberalizimit”,tha Osmani.
“Ne sot po sfidohemi nga kriza të shumta, siç është ajo energjetike. Mbetet të rrisim angazhimin e përbashkët që qytetarëve t’ua lehtësojmë barrën e shkaktuar nga këto kriza. Ka ardhur koha që marrëdhëniet e Kosovës me BE-në të ngriten në një nivel më të lartë, prandaj Kosova këtë vit do të kandidojë për statusin e vendit kandidat. Si në proces tjetër, presim mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë, në mënyrë që Kosova të jetë aty ku e ka vendin brenda familjes së madhe evropiane”,deklaroi Osmani, transmeton lajmi.net.
Osmani tha se kanë kaluar më shumë se katër vite që kur Kosova plotësoi kriteret për liberalizimin e vizave, teksa falënderoi presidenten hungareze që çdoherë shteti i Hungarisë përkrahu Kosovën.
Ajo po ashtu tha se shpreson në rritjen e bashkëpunimit në mes të dy vendeve.
“Dua t’ju falënderoj për vizitën me shpresë se në mes shteteve tona do të hapim kapituj të ri bashkëpunimi dhe shpresoj se në të ardhmen do të kemi edhe vizita të tjera, me shumë bashkëpunim e shkëmbim të përvojave në mes të Kosovës dhe Hungarisë”,shtoi Osmani.