Pas situatës së krijuar në sistemin arsimor për shkak të grevës, ka reaguar edhe Avokati i Popullit.
Në reagimin e këtij institucioni, thuhet se janë duke e përcjellë me shqetësim rrjedhën e zhvillimeve të fundit të grevës së mësimdhënësve. “E drejta për arsim është e drejtë kushtetuese që në asnjë rrethanë nuk guxon të cenohet dhe mohohet, duke vënë theksin në interesin më të mirë të fëmijëve dhe të drejtën për shkollim dhe edukim si një e drejtë e garantuar”, thuhet në reagim.
Ndër të tjera, Avokati i Popullit ka theksuar se respekton të drejtat e punëtorëve për organizim sindikal dhe për grevë, mirëpo në situatën e krijuar kërkon nga të dyja palët të reflektojnë, që përmes masave dhe veprimeve të kujdesshme, të mos cenojnë të drejtat dhe interesin më të mirë të fëmijëve.
Ndërkohë, pas thirrjes së Këshillit të Prindërve, për shpërndarjen e librave nëpër shkolla, disa nga prindërit kanë kërkuar nga mësimdhënësit që t’i marrin ato. Por, shumë prej nxënësve ende nuk i kanë tekstet shkollore, për shkak të grevës. Nora Hajdari, prind i fëmijës në Shkollën “Nazim Gafurri”, në Prishtinë, tha se ka komunikuar me mësimdhënësit e fëmijëve të saj, por që librat ende nuk mund t’i marrin deri sa të shkojnë nxënësit në shkollë.