Tirana International Airport ka njoftuar se janë anuluar 10 fluturime për shkak të kushteve të këqija të motit.
Sipas politikave përkatëse të kompanive ajrore, një pjesë e pasagjerëve, fluturimet e të cilëve janë anuluar apo janë zhvendosur në aeroportet (Shkup, Athinë, Stamboll, Bari, Venecia) janë akomoduar përreth këtyre aeroporteve ndërkombëtare.
Kompania ajrore Wizz Air ka siguruar gjithashtu transportin e pasagjerëve nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit drejt Tiranës.
Disa pasagjerëve u është ofruar mundësia për rimbursim ose janë sistemuar në fluturime për destinacionet përkatëse.
Gjashtë avionë të linjës ajrore Wizz Air janë ulur në aeroportin e Shkupit për shkak të mjegullës, ndërsa një fluturim me destinacion Luton-Tiranë është anuluar për shkak të dëborës në Londër.
Moti i keq ka afektuar edhe fluturime të kompanive ajrore si Pegasus dhe Air Albania, Lufthansa.
Të mërkurën, më datë 14 dhjetor 2022, pritet që situata të normalizohet, thuhet në njoftimin e TIA-s. /a2news/