Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezit, i skadon mandati në prill të këtij viti.
Duke numëruar me krenari sukseset e Prokurorisë gjatë konferencës vjetore të prokurorëve, Lumezi tha se beson se kushdo që zë vendin e tij, do të jetë i gatshëm ta mbrojë nderin, autoritetin dhe pavarësinë e Institucionit të Prokurorit të Shtetit.
“Institucioni i Prokurorit të Shtetit për disa muaj do të ketë një drejtues të ri i cili duhet të marr besimin jo vetëm nga Institucionet e Shtetit tonë, por edhe nga partneret ndërkombëtarë. Duhet të vlerësojë sensin e bashkëpunimit në rrugën e përbashkët në vendosjen e këtij procesi në mënyrë të drejtë dhe transparente bazuar në vlera të barazisë dhe meritokracisë”.
“Dua të besoj se kushdo që bëhet kryeprokuror do të jetë i gatshëm të mbrojë nderin, autoritetin dhe pavarësinë e Institucionit të Kryeprokurorit të Shtetit dhe të punojë në funksion të ligjit. Gjatë këtyre viteve, ky Institucion ka qenë unik duke treguar forcë dhe vendosmëri për t’u përballur me çdo situatë të krijuar, besoj se kështu do të jetë edhe në të ardhme. Sistemi të cilin kemi drejtuar ka qenë i qëndrueshëm për t’i bërë ballë çdo lëkundje që vinte nga kritikat e pajustifikuara të individëve që donin ta shohin ashtu siç e kanë paramenduar”.
Tutje, Lumezi tha se rrugëtimi i tij shtatëvjeçar do të ishte i pamundur pa mbështetjen e Institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Falënderoj të gjithë prokurorët e shtetit që me punën e tyre i shërbyen drejtësisë”, tha Lumezi.