Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të gjejnë një zgjidhje e cila është e pranueshme për të dyja palët, lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit në Kosovë.
Për ta arritur këtë, Lajçak tha se është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet në Kosovë dhe ato në Serbi.
Ai, tha se dita e zgjedhjeve po afrohet, andaj shumë shpejt duhet të arrihet një marrëveshje politike ndërmjet dy vendeve e cila nuk do të cenonte kushtetutshmërinë e Kosovës dhe do t’u mundësonte serbëve të Kosovës që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.
Madje, Lajçak thotë se një marrëveshje e tillë do të krijonte atmosferë tjetër në dialogun e nivelit të lartë politik, që sipas tij pritet të vazhdojë pas zgjedhjeve serbe.
Tutje, Lajçak tha se ligji serb nuk e mundëson votën me postë në zgjedhjet serbe, ashtu siç ka pretenduar Qeveria e Kosovës.
Po ashtu, ai tha se as aspekti logjistik nuk e mundëson që votimi të kryhet në një zyrë ndërlidhëse.
Kësisoj, sipas tij duhet të lejohet votimi fizik.
”Vota me postë, Ligji serb nuk e mundëson një mundësi të tillë dhe nuk mund të ndryshohet ligji që të akomodojë këtë pikë para zgjedhjeve. Së pari Zyra Ndërlidhëse, fizikisht është në kuadër të BE-së në Prishtinë. Në aspektin logjistik nuk është e mundur, sepse janë diku rreth 10 mijë serbë të regjistruar për votën në Kosovë. Të kemi 55 mijë votues në një zyrë ndërlidhëse është e pamundur”, tha Lajçak.
Sa i përket dialogut, emisari i BE-së shtoi se ky proces duhet të përshpejtohet, ndërsa theksoi se “Kosova është palë e barabartë”.
Ndërsa, i pyetur se kur pritet të përfundojë dialogu, Lajçak tha se nuk varet nga BE-ja si ndërmjetësuese, por nga Kosova dhe Serbia.
“Sa larg jemi nga normalizimi i raporteve, s’mund të them sepse varet nga të dyja palët, por ne jemi të interesuar që të përfundojë sa më shpejtë”, deklaroi ai për RTK-në.
“Normalizimi është gjithçka dhe është për Kosovën e Serbinë, ata janë pronarë të dialogut dhe ata vendosin se si të normalizohen raportet Ne jemi të gatshëm të mbështetim të dy vendet që të arrijnë në këtë pikë”.