Home Lajme Kusari-Lila: Duam hetim të zgjeruar në sektorin e energjisë

Kusari-Lila: Duam hetim të zgjeruar në sektorin e energjisë

0
Kusari-Lila: Duam hetim të zgjeruar në sektorin e energjisë

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka proceduar sot në Kuvendin e Kosovës 40 nënshkrime për formimin e Komisionit Hetimor parlamentar për sektorin e energjisë. Megjithatë, për dallim nga iniciativa e partive opozitare, partia në pushtet do të përfshijë hetimet për sektorin e energjisë që para shpalljes së pavarësisë e deri më tash.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, në “RTK Prime” ka thënë se VV është e interesuar për t’u bërë një hetim i zgjeruar i të gjitha shkeljeve dhe keqpërdorimeve në sektorin e energjisë në vend që nga viti 2006.

“E kemi vërejtur se ideja e partive opozitare për Komision Hetimor ligjërisht ishte e pazbatueshme, për arsye se Ligji mbi hetimin parlamentar parasheh kufizimet në të cilat ata që e iniciojnë kërkesën për hetim parlamentar nuk mund të kryesojnë me komision, ndërsa partitë në pushtet gjithashtë janë të përjashtuara nga kjo mundësi. Për të treguar që nuk ka asnjë tendencë as për të fshehur siç e prezantonte opozita e as ndonjë veprim që është i kundërligjshëm apo po mundohemi të bëhemi mburojë qeverisë, ne si grup parlamentar i VV-së e vendosëm ta trajtojmë siç e meriton tema e energjisë dhe që ky hetim të zgjerohet në afate kohore. Ne kemi vendosur që ky hetim të nisë që nga 1 korriku i vitit 2006”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo ka thënë se kanë vendosur për këtë vit, ngase në vitin 2006 ka pasur zhvillime përmbajtësore në sektorin e energjisë, ku Kosova është bërë pjesë e Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe po atë vit është vendosur për shthuarrje e KEK-ut, rrjedhimisht ndarje të KOST-it dhe fillimi i investimeve kapitale të cilat asnjëherë sipas saj nuk u realizuan asnjëherë në Kosovë.

Ajo ka thënë se ndër pikat e propozimit që kërkohet të hetohet janë: Investimet kapitale në KEK prej 2006 deri 2022; Investimet në distrubucionin e energjisë sipas kontratës së privatizimit; Pagesat të cilat janë bërë nga KEK-u për KEDS-in në vitin 2014; Veprimet e ZRRE-së; Numri i të punësuarve në KEK dhe konkurset e punësimit që nga viti 2006.

Kusari-Lila ka thënë se në kërkesën për formimin e Komisionit Hetimor parlamentar për sektorin e energjisë do të përfshihen edhe pikat që janë të propozuara nga opozita.

Exit mobile version