Në mesin e shumë liderëve botëror nga mbarë bota në ceremoninë e varrimit të ish-Sekretares së Shtetit të SHBA-së dhe mikes së Kosovës, Madeleine K. Albright krahas presidentes Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryeministrit Albin Kurti ishte edhe ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.
Në një postim në Facebook ish-presidentja Jahjaga ka theksuar se karakteri luftarak i Allbright dhe angazhimi i saj për liri, demokraci dhe të drejtat e njeriut e bënë atë lidere të madhe, ndërsa shpirti i saj fisnik e human e bëri edhe njeri të madh.
“E nderuam siç e meritonte, sepse Kosova dhe populli i saj do të jenë përjetësisht falënderues për rolin e saj. Është nderi më i madh i imi që pata fatin ta kem edhe mike shumë të dashur, e të shërbej si Presidente e Kosovës (2011-2016) duke e pasur atë si një nga përkrahëset e inspirimit tim më të madh për t’i shërbyer Kosovës, vend i cili do të mbetet ndër trashëgimitë e saja më të vlefshme. Pusho e qetë në paqe mikja ime!”, ka shkruar ndër të tjera Jahjaga.