Home Lajme Kosova dhe Shqipëria jetësojnë tre nisma në fushën e drejtësisë

Kosova dhe Shqipëria jetësojnë tre nisma në fushën e drejtësisë

0
Kosova dhe Shqipëria jetësojnë tre nisma në fushën e drejtësisë

Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë kanë filluar punën për lejimin e ushtrimit të profesionit të avokatit, ndërmjetësuesit në këto dy shtete si dhe njohjen reciproke të provimit të Jurisprudencës.

Kjo u bë e ditur në një konferencë për mediat pas takimit të Ministres së Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu me homologun e saj nga Republika e Shqipërisë, Ulsi Manja.

“Kjo do të mundësojë që avokatët e ndërmjetësuesit të shtrijnë aktivitetin profesional të tyre në të dyja vendet, ashtu si edhe njohjen reciproke të provimit të jurisprudencës, si kriter për zhvillimin e karrierës profesionale në fushën e Drejtësisë”, tha ministrja Haxhiu.

Sipas saj, një nisëm tjetër mes dy vendeve është edhe arritja e marrëveshjes për njohjen dhe zbatimin e dënimeve alternative, e cila do të mundësojë që shtetasit kosovar të liruar me kusht nga organet kompetente të Shqipërisë të mbikëqyren nga Shërbimi Sprovues i Kosovës dhe anasjelltas.

“Bashkëpunimi me Republikën e Shqipërisë, më shumë se interes, ai është vullnet i të gjithë qytetarëve, madje i ëndërruar në shekuj. Kështu, përgjegjësia jonë përveçse politike është edhe historike.  Sikurse për peshën që bartë vullneti i kahershëm qytetarë ashtu edhe për të ardhmen që sjell ajo”, deklaroi ministrja Haxhiu.

Ndërsa ministri Manja tha se Shqipëria e Kosova kanë vullnet të lartë për të quar përpara marrëveshjet në fushën e drejtësisë.

“Bashkëpunimi mes dy vendeve tona fillon nga drejtësia. Konstatoj se sa i përket dy ministrive tona nuk ka asnjë pengesë në bashkëpunimin tonë si në fushën penale ashtu edhe në atë civile dhe tregtare”, tha ministri Manja.

Ministrja Haxhiu dhe ministri Manja vlerësuan se angazhimi i tyre do të shërbej për trajtimin e barabartë të qytetarëve në Kosovë dhe Shqipëri.

Exit mobile version