Home Lajme Kërkohet qasje më e ashpër e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë

Kërkohet qasje më e ashpër e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë

0
Kërkohet qasje më e ashpër e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë

Njohësit e çështjeve politike në vend dhe rajon po e kritikojnë qasjen tejet të butë ndaj Serbisë. Kjo pasi Beogradi zyrtar, jo vetëm që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, por edhe po destabilizon situatën në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Serbia është vendi i vetëm në Evropë që nuk i është bashkuar botës demokratike me sanksione kundër Rusisë. Madje përtej kësaj, autoritetet serbe në vazhdimësi kërcënojnë vendet e rajonit, duke e destabilizuar vazhdimisht situatën e sigurisë në Ballkan.

Pavarësisht qasjes problematike të Serbisë, njohësit e çështjeve politike në vend dhe rajon, thonë se bashkësia ndërkombëtare paarsyeshëm po vazhdon ta trajtojë Serbinë me përkëdhelje.

Ish-ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu thotë se pavarësisht tolerimeve, bashkësia ndërkombëtare do të kërkoj nga Serbia që të zgjedh mes BE-së dhe Rusisë.

“Mendoj se bashkësia ndërkombëtare, Bashkimi Evropian do të jenë të detyruar të kërkojnë nga Serbia që të zgjedhë nga këto dy binarë në të cilët vazhdon të qëndrojë me njërën anë me Rusinë si agjente e saj dhe në anën tjetër gjoja si aspiruese e integrimeve në Bashkimin Evropian. Kjo gjë më nuk pinë ujë, prandaj jam i bindur që bashkësia ndërkombëtare perëndimore e botës demokratike do të kërkoj që Serbia të bëjë një përzgjedhje përfundimisht”, theksoi Spahiu.

Analisti nga Shqipëria, Ben Andoni, thotë se Bashkimi Evropian vepron shumë ngadalë për ta frenuar qasjen destabilizuese të Serbisë.

“Personalisht nuk besoj që do të ketë ndonjë presion më të madh se kaq ndaj Serbisë. E para, sepse Serbia gjithmonë shikohet si një vend i cili zbut pak marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me Rusinë… Duhet t’i bëhet një presion indirekt Bashkimit Evropian që nuk duhet të vazhdohet indirekt me Serbinë e cila po mbanë në tension tre vende bashkë: Kosovën, Bosnjën dhe Malin e Zi. Por, me çfarë shikojë, burokratët e Brukselit lëvizin me ritme jashtëzakonisht të vogla.”, thotë Andoni.

E njohësi i çështjeve politike nga Mali i Zi, Nikollë Berishaj, thotë se këtë hov të Serbisë mund ta ndalin vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Është për t’u çuditur qëndrimi i Bashkimit Evropian dhe i bashkësisë ndërkombëtare, mirëpo nuk është herë e parë, d.m.th Serbia ka qenë edhe është e lazdruar prej tyre dhe nuk pres ndonjë qëndrim më të ashpër nga Bashkimi Evropian, por pres nga administrata amerikane se do të ndikojë ndryshe edhe në Bashkimin Evropian edhe në faktorin ndërkombëtar që ta mësoj mend Serbinë”, thotë Berishaj.

Kohë pas kohe, ka pasur zëra edhe nga zyrtarë të Bashkimit Evropian që Serbia duhet të vendos nëse dëshiron të vazhdojë me Bashkimin Evropian apo me Rusinë. /Tëvë1/

Video: KËTU

Exit mobile version