Home Ballina Katër personat dhe arsyet e fuqishme që ia “pamundësuan” Albulena Haxhiut takimin me Thaçin e Veselin

Katër personat dhe arsyet e fuqishme që ia “pamundësuan” Albulena Haxhiut takimin me Thaçin e Veselin

0
Katër personat dhe arsyet e fuqishme që ia “pamundësuan” Albulena Haxhiut takimin me Thaçin e Veselin

Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nuk do ta takojnë ministren e tanishme të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka nisur një vizitë në Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë.

Shumëkush e ka komentuar në forma të ndryshme këtë vendim të Thaçit dhe Veselit, mirëpo që i njëjti natyrisht s’mund të ndahet nga e kaluara kur Albulena Haxhiu, mirëpo edhe shefi i saj në parti e Qeveri, Albin Kurti, nuk kurseheshin aspak në cilësimet e tyre për krerët e UÇK-së, shkruan lajmi.net.

Një fenomen jo fort i zakonshëm është vërejtur së fundmi në diskursin e kryeministrit të vendit, Albin Kurti, karshi krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Në të paktën dy raste, kreu i Qeverisë ka shprehur habinë e tij me realitetin ku udhëheqësit e luftës për liri, po gjykohen për krime lufte.

“Ata bënë luftë të fortë me Serbinë, ne patëm dy mijë dëshmorë. Është e pabesueshme të kesh politikanë të lartë të Kosovës në burg që luftojnë për liri”, tha Kurti në njërën nga deklaratat.

Në një tjetër, në RTK, Kurti tha se paraburgimi ndaj krerëve të UÇK-së është zgjatur jashtë normales.

Aq sa po i duket tani Kurtit “i pabesueshëm” fakti që krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë në burg, nuk i dukej as përafër kur të njëjtit ishin në liri, mirëpo që veçse dihej se ata do të kenë punë me Specialen.

Vetëm pak muaj pasi që kishte përfunduar intervistimi i ish-presidentit Thaçi në Speciale, tanimë kryeministri, atëherë kryeopozitar, do të hedhte akuza të rënda ndaj ish-drejtorit politik të UÇK-së për atë që ai ka thënë në Hagë.

Madje në një intervistë televizive, Kurti do të thoshte se “Thaçi ka kënduar si bilbil për katër ditë në Hagë”.

“Kur thu se unë jam larg vijave të frontit, atëherë thua merrni pulat që kanë qenë afër vijave të frontit. Por mos me dal nga specia e shpezëve, por në një lloj tjetër. A shkoi në Gjykatën Speciale. A ka kënduar katër ditë si bilbil. Ka kënduar katër ditë para Prokurorisë. Çka ka kënduar?”, kishte thënë Kurti në një debat televiziv në shtator të vitit 2020, pak muaj pas intervistimit të Thaçit.

Përveç që në këto deklarata Kurti e akuzonte Thaçin se i ka “dhënë shokët e luftës” para Prokurorisë, në disa të tjera ai i bënte thirrje ish-presidentit që t’i dorëzohet Speciales.

Ishte janari i vitit 2019,  kur Albin Kurti do të plasonte në publik statusin e tij të famshëm “shko Hashim”.

Ndonëse Thaçi ishte drejtor politik i UÇK-së, i përfolur edhe për përfshirje direkte në aksione kundër forcave serbe, Kurti nxirrte konkludim se ai i ka tradhtuar shokët e luftës.

Andaj, në këtë situatë, tani ai duhet të shkonte në Hagë.

“Arritjet dhe sukseset që Kosova i ka pasur falë sakrificave të popullit tonë e të UÇK-së, por edhe falë ndihmës së miqve ndërkombëtarë, u përpoqe t’ia përshkruash vetvetes. Por, kur erdhi puna për të mbajtur përgjegjësi, e mohove UÇK-në, e le në baltë popullin, dhe i tradhtove ata që e mbështetën tradicionalisht Kosovën në arenën ndërkombëtare. Prandaj, ka ardhur momenti që ti të shkosh, atje ku po të thërrasin, në kurthin që vetë ia ngrite ushtrisë çlirimtare, duke ua përdredhur duart deputetëve të partisë tënde e duke na shkelur të gjithëve më 3 gusht 2015. Shko Hashim”, shkruante Kurti në janar të 2020-tës.

Kreu i Qeverisë nuk është i vetmi që njihet për deklaratat kundër krerëve të luftës.

Një të tillë, e që kishte shkaktuar shumë bujë e kishte dhënë edhe tanimë ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

Gërvalla thoshte më 2017 se do të dërgojë dosje në Speciale, brenda mundësive që ajo ka. E nëse një gjë e tillë ka ndodhur, nuk dihet kurrë.

Ajo kishte akuzuar ish-kryeparlamentarin, Kadri Veselin, se është “koka” e një organizate, e cila, sipas saj, ka kryer krime ndaj kundërshtarëve të tij politikë.

“Brenda mundësive që kam patjetër që do të dërgoj materiale në Speciale. Por, kam materiale. Kemi kryetar të parlamentit që unë e quaj më të turpshme se sa Thaçi që është president. Gjithë bota e di kush është Kadri Veseli dhe gjithë bota e di kush është Hashim Thaçi. Kadri Veseli ka qenë koka e organizatës që ka bërë krime ndaj kundërshtarëve politikë”, kishte thënë Gërvalla

Ndonëse në kohën kur Gërvalla e kishtë dhënë këtë deklaratë nuk mbante ndonjë funksion publik, fjalët e saja kishin bërë bujën më të madhe duke u ritransmetuar në kohën kur ajo kishte marrë pozitën e ministres së Jashtme.

Cilësime të rënda ndaj krerëve të luftës kishte përdorur edhe vet Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, jo më larg se disa vite më parë.

Ajo iu referohej me terma “kriminelë” dy ish-funksionarëve të Kosovës përgjatë kohës sa Lëvizja Vetëvendosje në opozitë.

Përgjatë kohës sa ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ishte pjesë e LVV-së, përgjatë një takimi që pati me ish-presidentin Thaçi, u kritikua ashpër nga atëbotë bashkëpartiakja e Ahmetit, Albulena Haxhiu. Kjo e fundit e quajti Thaçin kriminel, duke kritikuar ish-kreun e Prishtinës pse ia kishte dhënë dorën atij.

“Shpendi dukej në siklet në ato fotografi të asaj situate të mbrëmshme. Pra, nuk dukej aspak i kënaqur. Por, mendoj që është dashur ta gjejë forcën e të mos ia japë dorën Thaçit. Ajo përshëndetje e ndihmon Thaçin. Nuk është dashur assesi t’ia shtrijë dorën një krimineli. Thaçi është përgjegjësi kryesor për mjerimin ekonomik, politik e social në Kosovë. Është kriminel e tradhtar”, shkruante Haxhiu në ‘Facebook’, postim ky që tashmë nuk figuron askund në llogarinë e saj.

Kriminel tashmë drejtuesja e Drejtësisë iu referohej edhe ish-kryetarit të Kuvendit.

“As s’më intereson nëse Kadri Veseli kërkon falje. S’e ndryshon Veselin kërkim falja ndaj meje. Unë s’mundem me e quajt me ndonjë emër tjetër, se ai për mua është kriminel”, thoshte ajo në një intervistë.

Kjo çështje kishte shkuar edhe më larg me disa komente të burrit të Albulena Haxhiut,  Alban Krasniqi ndaj Kadri Veselit, të cilat ishin cilësuar nga mediat asokohe si “kërcënime për vrasje”.

“Pastë dorën e marë ai që të marrtë në shenjë”, shkruante ndër të tjera Krasniqi, i cili në zgjedhjet e fundit lokale ishte kandidat për kryetar të Malishevës, por që u deklasua nga partitë tjera.

Për këto komente Veseli kishte thënë se ka dorëzuar padi, por që me të nuk janë marrë asnjëherë organet e drejtësisë sipas tij.

Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Ndaj tyre rëndojnë 10 akuza që ndërlidhen me veprimtarinë e tyre gjatë kohës së luftës.

Exit mobile version