Partia Socialdemokrate ka thirrur protestë për të shtunën e 29 janarit, në Prishtinë, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Protesta pjesërisht ka marrë përkrahje edhe nga partitë opozitare, por që pritet të ketë më shumë intensitet të frustrimit qytetar.
Ish-kryeministri i Kosovës dhe kreu i LDK-së për shumë vite, Isa Mustafa ka thënë për Indeksonline se nëse protesta ka karakter të mbrojtjes së interesit qytetar, ajo meriton të përkrahet edhe nga partitë opozitare.
Por, thirrja e ish-kryeministrit Mustafa është që protesta mos të jetë e tipit të Vetëvendosjes, siç i quan ai të çmendura e të dhunshme.
“Partitë politike shprehin dhe mbrojnë interesat e anëtarëve të tyre, parasëgjithash, dhe sigurisht të qytetarëve të vendit. Nëse partitë vlerësojnë se janë konsumuar hapësirat e tjera demokratike për zgjidhjen e problemit të shtrenjtimit të rrymës, dhe se rrugë tjetër demokratike është protesta për të mbrojtur interesin qytetar, atëherë meriton të përkrahet. Por nuk duhet dhe nuk bën të jetë protestë e çmendur, e dhunshme, e rrezikshme për jetërat e njerzëve, e tipit të Vetëvendosjes. Jo protesta të molotovit, sepse të gjithë jemi njerëz të këtij vendi, pozitë, opozitë e shoqëri civile” ka thënë Isa Mustafa.