Ish-ministri i Jashtëm, Skender Hyseni e ka quajtur të pafalshme lëshimin në rrjetin social Twitter të zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi lidhur me zëvendëssekretarin e KiE-së, Bjorn Berge.
“Këto momentumet për dialog duhet të shfrytëzohen në maksimum. Është e pafalshme gabimi z.Bislimi në Twitter është e pafalshme”, tha Hyseni.
Ai madje ka përmendur edhe komunikatat e shkruara në kohën kur Hyseni ishte person i afërt i ish-presidentit, Ibrahim Rugova.
“Më duhet ta marrë shembull Rugovën. Edhe kur i është thanë Ibrahim Rugovës se Kosova do të bëhet shtet i pavarur, ne nuk e kemi shkruar në komunikatë. E lëre më ta vendosësh në komunikatë për media një gënjeshtër të tillë. Nuk ka diplomaci në botë që të merr seriozisht. E ka dëmtuar diplomacinë dhe do të duhet kohë me rikthyer besimin”, tha Hyseni më tutje në Prime Time në Kanal10.
Ndryshe, zëvendëskryeministri Bislimi pas takimit që ka pasur javën e kaluar me zëvendëssekretarin e KE-së, Bjorn Berge shkroi në Twitter se Berge ka mirëpritur iniciativën e Kosovës për aplikim për pranim në Këshill të Evropës.
Por, pas kësaj, Berge reagoi në Twitter, duke thënë se kjo nuk është saktësisht ajo për çka kanë folur.