Gjenerallejtënant Ben Hodges është një ish-gjeneral komandues në Ushtrinë Amerikane.
Ai ka publikuar sot një artikull të ri në të cilin parashikon se 10 ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për të vendosur përfundimin e konfliktit në Ukrainë, raporton Sky News.
“Rusët janë në telashe dhe ata e dinë këtë”, shkruan ai.
“Kjo është arsyeja pse ata kanë kërkuar ndihmë nga Kina dhe pse tani po rekrutojnë sirianë”, thotë tutje ai.
“Gjeneralëve rusë po u mbaron koha, municioni dhe fuqia punëtore. Kjo nuk bazohet në ndonjë inteligjencë të brendshme – është e qartë nga informacioni me burim të hapur dhe përvoja ime. Unë mund të jem larg, por jam i sigurt për këtë vlerësim”, shton ai.
“Një paralajmërim thelbësor për vlerësimin tim është se ne, Perëndimi, të udhëhequr nga SHBA, duhet të përshpejtojmë dhe zgjerojmë mbështetjen që po i ofrojmë Ukrainës në shkallën dhe me ndjenjën e urgjencës së linjës ajrore të Berlinit (qershor 1948-maj 1949)”, thotë Hodges.
“Ata kanë nevojë për armë dhe municione për të shkatërruar raketat dhe artilerinë me rreze të gjatë që po shkaktojnë shumicën e dëmeve në qytetet ukrainase, si dhe inteligjencën për të lokalizuar ato sisteme dhe aftësinë për të goditur anijet e marinës ruse që po lëshojnë raketa lundrimi në qytete nga Deti i Zi dhe Deti Azov”
“10 ditët e ardhshme janë vendimtare. Është një garë dhe nuk po shoh mjaftueshëm urgjencë. Ne duhet ta shtyjmë pedalin e gazit në dysheme tani, menjëherë.”