Vizitat ndaj tetë ish krerë të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë, kanë shpenzimet e tyre.

Por ato familjare, mbulohen financiarisht nga shteti i Kosovës.

Për afro dy vite vizita, shteti i kushtoi mbi 141 mijë euro, për bileta, fjetje e ushqim dhe shpenzime tjera për viza.

Për shkak të mungesës së kërkesës për rimbursim mjetesh, familja e ish presidentit, Hashim Thaçi përfitoi zero centë, kurse më së shumti ajo e ish deputetit të VV-së, Rexhep Selimi, me gati 35 mijë euro.

Fiks 34 mijë, kushtuan vizitat e familjarëve të ish kryekuvendarit, Jakup Krasniqi, pasuar nga ajo e Hysni Gucatit, me mbi 29 mijë euro.

Vizitat e Nasim Haradinaj kushtuan më tepër se 16 mijë euro, të Kadri Veselit 14 mijë euro, të Salih Mustafës 12 mijë euro dhe të Pjetër Shalës, 10 mijë euro.

Por, Ministria e Drejtësisë, po synon që t’i përcaktojë disa aspekte shtesë të mbulueshmërisë së shpenzimeve.

“Çdo person i akuzuar potencial, brenda një viti, ka të drejtë të vizitohet me mbështetje të nevojshme financiare, deri në dymbëdhjetë (12) vizita nga anëtarët e ngushtë të familjes, dhe jo më shumë se tre (3) anëtarë të familjes për një vizitë”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Përmes këtij Udhëzimi Administrativ, përfitimi i kësaj mbështetje financiare bëhet në forma të ndryshme.

“Paradhënia e shpenzimeve bëhet për shpenzimet e fjetjes dhe ushqimit, pas miratimit të kërkesës për udhëtim. Shpenzimet tjera të përcaktuara me këtë udhëzim administrativ, kompensohen pas ofrimit të dëshmisë përkatëse”, thuhet tutje.

Këto ndryshime në ligjin për Dhomat e Specializuara, Medina Kadriu nga IKD, i ka vënë në theks për përmbushjen e zbrazëtirave ekzistuese ligjore.

Përpos vizitave të familjarëve, shteti i Kosovës paguan miliona euro edhe për mbrojtjet e ish krerëve të UÇK-së. /Teve1/