Home Lajme Bitcoini bëhet monedhë zyrtare në Republikën e Afrikës Qendrore

Bitcoini bëhet monedhë zyrtare në Republikën e Afrikës Qendrore

0

Republika e Afrikës Qendrore ka miratuar Bitcoinin si një monedhë zyrtare, tha presidenca të mërkurën, duke u bërë vendi i parë në Afrikë dhe i dyti në botë që e bën këtë.

Pavarësisht rezervave të pasura të arit dhe diamanteve, Republika e Afrikës Qendrore është një nga vendet më të varfra dhe më pak të zhvilluara në botë dhe është kapur nga dhuna rebele prej vitesh.

Një projektligj që rregullon përdorimin e kriptomonedhës u miratua unanimisht nga parlamenti, javën e kaluar, thuhet në një deklaratë të nënshkruar nga Obed Namsio, shefi i kabinetit të presidentit Faustin-Archange Touadera.

“Presidenti e mbështet këtë projektligj sepse do të përmirësojë kushtet e qytetarëve të Afrikës Qendrore”, tha Namsio për Reuters, pa dhënë detaje.

Në deklaratë, ai e quajti atë një hap vendimtar drejt hapjes së mundësive të reja për vendin.

Republika e Afrikës Qendrore është një nga gjashtë vendet që përdorin frangën CFA të Afrikës Qendrore, një monedhë rajonale e qeverisur nga Banka e Shteteve të Afrikës Qendrore (BEAC).

Dy nga ish-kryeministrat e vendit nënshkruan javën e kaluar një letër, ku shprehnin shqetësimin për adoptimin e Bitcoinit pa udhëzime nga BEAC, duke e quajtur atë një “vepër të rëndë”.

El Salvador u bë vendi i parë në botë që miratoi Bitcoinin si mjet ligjor vitin e kaluar.

Exit mobile version