![BE-ja organizon ditët për të rinjtë – Cilat janë përvojat e të rinjve me programet të BE-së BE-ja organizon ditët për të rinjtë – Cilat janë përvojat e të rinjve me programet të BE-së](https://gazetascanner.com/wp-content/uploads/2022/10/A8161C88-0A61-42DB-852D-D3E44CE1A6EE.jpeg)
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, në kuadër të EU4Youth Days, ka organizuar panel diskutimi “Cila është e ardhmja që dëshironi të shihni?”, në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë.
Diskutimi u zhvillua me studentë, përfaqësues të organizatave rinore dhe ndërkombëtare, të cilët kanë ndarë përvojat e tyre lidhur me programet e studimit, shkëmbimit, trajnimit që kanë përfituar nga përkrahja e BE-së në Kosovë.
Anne Sophie Houee, nga Zyra e BE-së, tha se rinia kosovare përbën numrin më të madh të popullsisë, dhe se kontributi i tyre është i rëndësishëm, prandaj edhe investojnë në projektet ku ata janë të përfshirë.
Ajo para të pranishmëve foli për programe studimi, shkëmbimi, trajnimi dhe të tjera nga të cilat mund të përfitojnë të rinjtë kosovarë përmes përkrahjes së BE-së. Sipas Houee, investimi në edukim mbetet prioritet.
“Rinia është grupi më i madh i popullatës dhe kontributi juaj këtu është i rëndësishëm. Ne financojmë projekte ku të rinjtë janë përfitues. Rinia është e rëndësishme, sepse janë fleksibil. Edukimi është sektori ynë i rëndësishëm i bashkëpunimit dhe kemi investuar 10 milionë euro. Ne i mbështesim të rinjtë prej parashkollorëve deri në universitet. Këto investime i bëjmë bazuar në terren dhe bashkëpunimin me institucione”.
“Punojmë në ndërtimin e shkollave, çerdheve dhe fakulteteve. Përpos që punojmë me nivelin qendror, punojmë edhe në atë lokal, sepse sistemi i edukimit është i ndarë. Ne punojmë më afër me të rinj që nuk kanë pasur mundësi të edukohen dhe në ofrimin e punësimit që të mos lihen anash shoqërisë. Do të marrë kohë, por do të punojmë më shumë për të rinjtë e Kosovës”.
Albin Bushi, ambasador i ri Evropian, ka inkurajuar të rinjtë që të jenë pjesë e programeve që ofron BE-ja.
“Duke u bazuar në përvojën time në Gjermani inkurajoj të rinjtë të jeni pjesë e programeve dhe të jeni proaktivë”.
Merita Bytyçi-Kelmendi, nga Care Internacional, menaxhere e projektit “Pjesëmarrja e të rinjve kosovarë” projekt i cili eshte i mbështetur nga BE-ja, tha se projekti ka filluar nga janari, do të zgjasë 24 muaj dhe do të ofrojë mundësi për vajzat dhe gratë që vijnë nga zona rurale.
“‘Care International’ për 25 vjet është duke punuar edhe në Ballkan dhe në Kosovë ku është duke implementuar projekte te ndryshme duke përfshirë edhe projektin Pjesëmarrja e të rinjve të Kosovës”.
“Projekti ka filluar në janar, do të zgjasë 24 muaj dhe ka për qëllim ofrimin e mundësive në aspektin socio-ekonomik për vajzat dhe gratë që vijnë nga zona rurale”.
“Qëllimet e projektit janë që rrisin pjesëmarrjen të rinjve që vijnë nga zona rurale; krijimi i mundësive për trajnim profesional për qasje më të lehtë në tregun e punës dhe ofrimi i mundësive për vullnetarizëm.”
Drinas Zeqiraj, përfitues i programit Young Cell Scheme, tha se i është dhënë mundësia të ndjekë një nga top universitetet në botë.
“Fakti që kam pasur mundësinë të jem pjesë e këtij programi më ka mundësuar të kem një perspektivë ndryshe prej gjitha kulturave në botë”.
“Kur e kam parë mundësinë për aplikim, procedurat për aplikim më janë dukur të komplikuara mirëpo më është dhënë mundësia të jem përfitues i Young Cell Scheme. Duke qenë përfitues më është dhënë mundësi t’i ndjekë top universitet në botë dhe më është ofruar mundësia për të studiuar atje”.
Avdyl Gashi, përfitues nga Erasmus+, tha se ky program është eksperienca më e mirë që të përgatitesh profesionalisht, raporton EO.
“Për herë të parë jam familijarizuar me Erasmus+ në moshën 17-vjeçare dhe që nga atëherë kam studiuar në universitete të Evropës dhe kam arritur të përfitojë njohuri të shumta që mua si aktivist të kontribuojë në shoqërine e Kosovës me projekte të shumta për rininë. I sygjerojë secili të ri të marr këtë mundësi sepse është eksperiencë e mirë për tu përgatitur profesionalisht”.
Kjo ngjarje është organizuar në kuadër të EU4Youth Days që organizohet nga BE-ja për të gjitha regjionet për të fuqizuar të rinjtë përmes ndarjes së njohurive dhe përvojave për fushatë e ndryshim duke përfshirë inovacionin, ndryshimet klimatike, digjitalizimin, ndërmarrësinë etj. Gjatë ditëve në vijim Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë përmes Shtëpisë së Evropës do të organizojë edhe një sërë aktivitetesh tjera në kuadër të EU4Youth Days dhe aktivitete për zhvillim të rinisë.
Një panel i ngjashëm diskutimi është organizuar edhe në Shtëpinë e Evropës në Mitrovicë të Veriut, ku profesorë, studentë, përfaqësues të organizatave kanë ndarë me të rinjtë përvojat e tyre. Të rinjtë serbë kanë pasur mundë të mësojnë sesi mund të përfitojnë nga mundësitë e panumërta që ofrojnë programet e ndryshme të BE-së në Kosovë./EO