Asnjë nga deputetët që janë kundër Kodit Civil nuk ka gjetur vend në strukturat më të larta organizative të VV-së.
Kjo është parë gjatë publikimit të listës së plotë nga ana e vet partisë përmes një komunikate.
Tash e një kohë thuhet se Grupi Parlamentar është i ndarë në dysh, në grupin e parë që është pro-Kodit Civil dhe atij kundër.
Raportohej se Kurti në njërën prej mbledhjeve me deputetë, iu pat drejtuar grupit që supozohet të udhëhiqet nga Eman Rrahmani, që nëse nuk e votojnë Kodin Civil, do ta çojë vendin në zgjedhje.
Nga emrat e rinj të VV-së, spikati edhe nënkryetarja e dytë, Mrika Limani-Myrtaj. Historiania jo shumë e njohur, e cila aderoi në VV vetëm tre vite më parë, tash e tutje do të jetë personi i tretë për nga rëndësia në VV, pas Albin Kurtit e Glauk Konjufcës.