Home Lajme Zyrtarët e PDK-së reagojnë ashpër pas shkarkimit të Fadil Kodrës, e quajnë vendim të turpshëm

Zyrtarët e PDK-së reagojnë ashpër pas shkarkimit të Fadil Kodrës, e quajnë vendim të turpshëm

0
Zyrtarët e PDK-së reagojnë ashpër pas shkarkimit të Fadil Kodrës, e quajnë vendim të turpshëm

Gjatë ditës së sotme është raportuar se Fadil Kodra është shkarkuar nga pozita e ushtruesit së drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME).

Në lidhje me këtë kanë reaguar disa zyrtarë të PDK-së të cilët e kanë quajtur këtë vendim skandaloz.

Nënkryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, thotë se nuk ka turp më të madh sesa shkarkimi i një prej themeluesve të UÇK-së dhe pjesëtarit të grupit të komandantit Adem Jashari.

“I turpshëm e skandaloz lajmi se është shkarkuar nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Emergjencave të Kosovës, njëri prej themeluesve të UÇK-së, pjesëtar i grupit të Komandantit Legjendar Adem Jashari, luftëtar i dalluar i UÇK-së, Gjenerali Fadil Kodra”, ka shkruar ai.

Madje, Lushtaku e akuzon rëndë partinë në pushtet duke i quajtur proserbë dhe nostalgjikë të Jugosllavisë.

“Duket që kjo qeveri e turpit ka aq shumë antipati ndaj UÇK-së, sa askush nuk mund të imagjinonte se veprimet e saj do të bien deri në këtë nivel. Nuk ka turp më të madh sesa të shkarkohet nga pozita e Drejtorit të Agjencionit të Emergjencave, një njeri si Fadil Kodra, që gjithë jetën e ka vënë në shërbim të kombit. Duket që ka ardhë koha e proserbëve e nostalgjikëve të Jugosllavisë që të qeverisin me institucionet e Kosovës. Turpi ju mbuloftë!”.

Një reagim të ashpër e bëri edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, që këtë shkarkim e quan vazhdim të ‘përndjekjes politike dhe rajonale’.

Ajo shkon edhe më tej kur thotë se “veprimataria kombëtare e Fadil Kodrës e bën të papërshtatshëm për këtë regjim”.

“Përndjekjet politike e rajonale me mentalitet të viteve të ‘90-ta, s’kane të ndalur. Xhelal Sveçla, e paska shkarku sot Fadil Kodrën, i cili ka pasur pozitën e ushturesit të detyrës së drejtorit të Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave. Si duket veprimtaria kombetare e z.Kodra e bënë të pa përshtatshem për këtë Regjim. STOP MASAVE TË DHUNSHME!”.

Raportimet për shkarkimin e Fadil Kodrës, vëllain e heroit Ilaz Kodra, janë konfirmuar nga Ministria e Punëve të Brendshme për Paparacin.

“Ju njoftojmë se Ministri Sveçla e ka shkarkuar dje nga detyra z. Kodra. Për korrektësi, z. Kodra ka qenë në funksionin e tij me vendim si Ushtrues Detyre i Drejtorit dhe jo Drejtor i Përgjithshëm i AME-së”, ka thënë një zëdhënëse e kësaj ministrie.

Exit mobile version