Zëdhënësja e Komisionit të Bashkimit Evropian për punët e brendshme, migracionin dhe sigurinë e brendshme, Anitta Hipper, ka thënë se Kosova i ka përmbushUR të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Hipper, përmes një postimi në Twitter, ka shtuar se vendimi për heqjen e vizave për Kosovën është tashmë një vendim i vonuar.
“Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet. Vendimi për heqjen e vizave për Kosovën është një vendim i vonuar”, ka thënë Hipper.
Përndryshe, pak ditë më parë është zhvilluar samiti i Bashkimit Evropian, ku kanë marrë pjesë edhe liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë samit, përveç vendimeve të marra, pritej hapja e negociatave për Shqipërinë për anëtarësim në BE dhe liberalizimi i vizave për Kosovën. Pavarësisht kësaj dhe pritshmërisë së madhe që kishin Kosova dhe Shqipëria, asnjëra nga dy vendet nuk morri atë që dëshiruan.
Liberalizimi i vizave për Kosovën, edhe pse disa javë para samitit të BE-së ishte i zëshëm si çështje, prapë së prapë ai nuk ndodhi.
Rreth kësaj, jo vetëm liderët politik të Kosovës por edhe disa figura tjera politike të perëndimit theksuan faktin që shteti i Kosovës tashmë ka përmbushur kriteret e kërkuara për heqjen e vizave.
Megjithatë, dy shtete që, jo vetëm këtë herë por edhe më herët kanë qenë skeptike për liberalizimin e vizave për qytetarët kosovar, kundërshtuan diçka të tillë. Franca dhe Holanda, janë këto dy shtete që kërkuan progres të mëtejshëm nga ana e Kosovës në mënyrë që kësaj të fundit t’i hiqen vizat.
Ka qenë pikërisht kryeministri holandez Mark Rutte, ai që në mënyrë specifike ka kërkuar diçka të tillë.
“Shpresoj që më vonë gjatë këtij viti ose vitin tjetër do të bëhet edhe liberalizimi i vizave për Kosovën. Ata kanë bërë shumë në sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit“, ka deklaruar Rutte.
Përveç kundërshtimit nga ana e Holandës, është edhe Franca ajo që nuk ka qenë e bindur plotësisht për liberalizimin e vizave.
Është Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian eurodeputetja Viola Von Cramon, ajo që ka deklaruar se personi që po kundërshton liberalizimin e vizave për Kosovën nga ana e Francës, është Ministri i Brendshëm, Gérald Darmanin.
Në këtë vijë, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se, pavarësisht që Kosova nuk mori liberalizimin e vizave, Kosova kurrë nuk ka pasur më shumë mbështetje.
Sido që të jetë, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën vazhdon të jetë çështje e pa definuar, dhe vendimi për të, nuk dihet ende se kur mund të merret. Diçka që e ka konfirmuar edhe vetë Lajçak.