Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot është mbajtur seanca për padinë dhe kërkesës e asamblistëve të Vetëvendosjes në kryeqytet mbi caktimin e masës së përkohshme në rastin e projektit të iniciuar për ndërtimin e objektit afarist-ndërtimor në “Lakërishte” nga Ndërmarrja Publike Banesore dhe kompanitë tjera.
Kjo masë u kundërshtua nga mbrojtja e palëve kundërshtuese të kësaj padie, ndërsa gjykata vendimin për vendosjen apo jo të masës së sigurisë për padinë e parashtruar pritet ta merr brenda afateve ligjore.
Në seancë, krahas palëve, të pranishëm ishin edhe një numër i madh i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, por edhe deputetë të Vetëvendosjes si Adnan Rrustemi, Tinka Kurti, Sali Zyba etj.
Përfaqësuesi i propozimit të padisë, Gëzim Sveçla kërkoi që gjykata të vendosë masën e sigurisë me qëllim që të mos bëhet rrënimi i objekteve derisa gjykata të merr vendim për këtë projekt.
“Ne propozuesit i propozojmë gjykatës që pas shqyrtimit për caktimin e masës së sigurimit dhe administrimit të provave të lëndës të bashkangjitur të aprovojë propozimin e propozuesve ashtu që t’i ndalohet kundërshtarëve të masës së sigurimit që të ndërmarrin çfarëdo veprimi duke përfshirë dhe nënkuptuar rrënimin e objekteve ekzistuese në këtë ngastër kadastrale të dhëna si në propozim. Ndërmarrjen e çfarëdo veprimi tjetër përfshirë gërmimin, ndërtimin apo ndryshimin e gjendjes faktike dhe juridike në këto ngastra kadastrale. Çdo veprim që do të ndërronte gjendjen faktike dhe pastaj mund të shkaktohet dëmi financiar përsëri që është në dëm të interesit publik”, tha ai.
Avokati mbrojtës i Ndërmarrjes Publike Banesore, Valdrin Behrami e ka kundërshtuar këtë masë, duke thënë se me këtë veprim do të shkaktohen dëme të pariparueshme për ndërmarrjen. Madje ai tha se vendosja e masës së sigurisë për këtë projekt do të krijonte klimë të pasigurt edhe për të gjithë investitorët.
“Caktimi i një mase të tillë përveç dëmeve të pariparueshme, të cilat do të shkaktonte NPB do të krijonte një klimë të pasigurt, për të gjithë investuesit dhe do të rrezikoheshin seriozisht të gjitha shërbimet, të cilat ofrohen për të gjithë qytetarët e komunës së Prishtinës nga ana e NPB-së. Andaj bazuar në dispozitat përkatëse ligjore duke i pasur parasysh parashtrimet që i përmenda, propozojmë pranë kësaj gjykate që të bie aktvendim ku hedhet poshtë si e palejuar propozimi për caktimin e masës siguruese”, u shpreh Behrami.
Derisa e kanë kundërshtuar tërësisht padinë, edhe mbrojtja e “Made Group Construciton”, “Madekos”, dhe “Arkos”, Engjell Rexhepi kërkoi që gjykata të vendos konform kërkesave që tashmë ata i kanë propozuar me shkrim.
“Të njëjtën e kundërshtojmë në tërësi për shkak se të gjitha pretendimet e paraqitura këtu tashmë janë të shqyrtuara dhe propozuesit edhe më tutje nuk kanë arritur që të vërtetojnë shkelje subjektive private e as ndonjë dispozitave imperative. Sa i përket përcaktimit, përkatësisht petitumit të propozimit nga gjykata kërkoj ta vlerësoj njëjtëshmërinë e petitumit të propozimit dhe petitumit të padisë së propozuesve dhe të vendos konform dispozitave të ligjit për procedurën kontestuese… Duke kundërshtuar në tërësi propozimin e propozuesve si dhe precizimin e bërë në këtë seancë duke kërkuar nga gjykata që në lidhje me propozimin e propozuesve të vendos sipas ndonjërës nga kërkesat për vendosjen e paraqitura nga ana jonë”, u shpreh ai.
Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje më 8 gusht 2022 në Gjykatën Themelore në Prishtinë kanë dorëzuar padi për anulimin e kontratës lidhur me projektin e ndërtimit të objektit afarist-ndërtimor në lagjen “Lakërishte”, dhe po ashtu ka kërkuar edhe vendosjen e masës së sigurisë.