Kosova njihet si një prej shteteve që ka shumë qytetarë të saj të cilët jetojnë jashtë vendit, si në Evropë, Amerikë apo edhe në vende të tjera të botës.
E padyshim se sezoni i verës ndryshon krejtësisht pamjen që marrin qytetet e Kosovës, për shkak të numrit të madh të mërgimtarëve të cilët vijnë pikërisht në muajt qershor, korrik dhe gusht, mirëpo edhe për festat e fundvitit.
Por nga Aeroporti i Kosovës “Adem Jashari” kanë bërë të ditur se numër i madh i mërgimtarëve kanë ardhur edhe përgjatë këtij muaji.
Të kontaktuar nga lajmi.net, Zyra për Informim ka njoftuar se ende nuk posedojnë të dhëna lidhur me numrin e saktë të vizitorëve përgjatë këtij muaji në Kosovë, por që sipas tyre pati një numër mjaftë të lartë.
“Edhe përgjatë këtij muaji ka patur ardhje të mërgimtarëve, për shkak se në disa kantone kanë pushim përgjatë këtij muaji dhe të njëjtit zgjodhën që të vijnë në Kosovë”.
Por nga aeroporti “Adem Jashari” kanë theksuar gjithashtu se ofrojnë shërbime të nivelit të lartë dhe se tashmë janë përgatitur për numër të madh të pasagjerëve.
“Aeroporti “Adem Jashari” ofron shërbime të nivelit të lartë, dhe ne jemi të përgatitur për numër të madh të pasagjerëve që vazhdon të rritet.”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga Zyra për Informim.
Ndërsa gjatë vitit të kaluar, përmes aeroportit të Prishtinës kanë hyrë dhe kanë dalë 2.180.809 pasagjerë dhe mbi 17 mijë fluturime.
Kurse brenda tre muajve të parë të këtij viti në kuadër të aeroportit “Adem Jashari”, ka patur 4 mijë e 28 fluturime.
Ky numër i fluturimeve ishte 44.89 për qind më i lartë se në periudhën e njëjtë të vitit 2021.
“Gjatë vitit 2021 përmes aeroportit Adem Jashari kanë hyrë dhe dalë 2.180.809 pasagjerë dhe mbi 17 mijë fluturime. Në tremujorin e parë të vitit 2022 kemi pasur: 4028 fluturime, apo 44,89% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2021 si dhe 545,895 udhëtarë, apo 65.03% më shumë se në të njëjtën periudhë të viti qe lam pas”, thuhet tutje në përgjigje.
Në kuadër të aeroportit të Prishtinës, Zvicra kryeson sa i përket numri të fluturimeve nga Kosova dhe anasjelltas.
Sa i përket numri të pasagjerëve Zvicra gjithashtu është shteti i parë, duke u ndjekur më pas nga Gjermania, Turqia dhe Austria.
“Zvicra kryeson listën për sa i përket numrit të fluturimeve (me qytetin e Bazelit) dhe po ashtu për nga numri pasagjerëve me mbi 37%, e ndjekur nga Gjermania, Turqia dhe Austria.”, u tha tutje në përgjigjen e aeroportit të Prishtinës.
E padyshim se mërgimtarë të shumtë të cilët zgjedhin që të udhëtojnë drejt Kosovës në kuadër të aeroportit të Prishtinës, tashmë veçse kanë filluar të bëjnë edhe rezervimet e tyre.
Por shumë nga këta nisen drejt Kosovës po ashtu edhe përmes mjeteve tokësore, vetura apo autobusë.
Si çdo sezon tjetër veror, apo dimëror mërgimtarët përballen me kolona të gjata dhe padyshim tejet të mundimshme.
Shpesh herë për të mos kaluar nëpër këto kolona shumë orëshe, ata zgjedhin që të udhëtojnë përmes linjave ajrore.