Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës deri brenda dy-tri ditëve pritet të vendos për pezullimin ose jo të grevës në arsim.
SBAShK ka kërkuar mendimin e anëtarësisë së saj për pezullimin e grevës deri në janar, dhe fillimin e procesit mësimor nga e hëna e javës së ardhshme.
Në anën tjetër, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh anëtare e Komisionit parlamentar për arsim, Vlora Dumoshi ka thënë vendimet e SBAShK-ut janë legjitime dhe se fillimi i mësimit është një lajm i mirë.
Në një prononcim për Indeksonline, Dumoshi ka thënë se kjo sindikatë mbron interesat e mësimdhënësve dhe se qeveria e ka për obligim të krijoj kushte për fillimin e mësimit.
“Vendimet e SBASHK-ut janë legjitime. Fillimi i mësimit është një lajm i mirë. Por trajtimi me dinjitet i mësimdhënësve përfshirë edhe rritjen e pagave të tyre duhet të ndodhë. Sjellja me arrogancë e Qeverisë ndaj sindikatës së arsimit është tregues i tendencës për ngulfatjen e demokracisë në vendin tonë”, ka thënë Dumoshi.
Veprimi i sotëm i SBAShK-ut po shihet si hap drejt ndërprerjes së grevës. Ndërsa qeveria e Kosovës vazhdon të qëndroj e barrikaduar në qëndrimet e saj.
Me poshtë gjeni kërkesat e SBASHk-ut drejtuar qeverisë:
SBAShK do t’i vazhdojë orvatjet që mësimdhënësve t’iu rikthehet dinjiteti përmes dialogut social me qeverinë ashtu që të përmbushen kushtet themelore, të:
1) mbështetjes shtesë të pagës deri në zbatimin e Ligjit për Pagat dhe sipas rritjes ekonomike
përfshirë shkallën e inflacionit;
2) plotësim ndryshimit të Ligjit Nr. 04/L 131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti,
për ta hequr kriterin e 15 viteve kontributdhënëse,
3) plotësim ndryshimit të ligjit të sigurimeve shëndetësore.