Përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, të enjten deklaroi se tani duhet përparim urgjent në dialog.
Madje, në një deklarim për politiko.eu, emisari Miroslav Lajcak, tha se afati i marsit, ka për qëllim të përcjellë seriozitetin e arritjes së marrëveshjes.
E njohësi i çështjeve politike Visar Xani, thotë se afatet kohore kanë ndikim vetëm kur propozohen nga ndërmjetësuesit.
“Por konsideroi që afatet me propozime konkrete që duhet t’ju bëhen palëve ato mund të kenë rezultat, por afate në vullnetin e palëve dhe gatishmërinë e tyre përveç të ulen në tavolinë dhe pa gatishmëri për të arritur marrëveshje, atëherë i bije që nuk do të kemi respektim të këtyre afateve dhe këto afate vetëm janë data dhe vite të cilat mund të japin prognozë, por nuk mund të japin një konkretizim të saktë”, tha Xani.
Në deklarimin e tij, Lajcak ka thënë se nëse marrëveshja nuk arrihet më së largu deri në fillim të vitit 2024, atëherë do të duhet të fillojmë përsëri nga e para. Këtë deklaratë, politologu Dritëro Arifi, e ka cilësuar si të pakuptimtë.
“Sa i përket deklarimit të zotëri Lajcakut për çështjen që nëse nuk ka marrëveshje kthehemi në pikën zero, është e pakuptimtë nën një, nën dy e defaktorizon vetveten, pra palën ndërmjetësuese, sepse ai po e paragjykon procesin dhe njëfarë mënyre po inkurajonë palët që mos të kenë marrëveshje. Se nëse nuk kemi marrëveshje kthehemi në pikën zero. Kjo në pikën zero çka nënkupton? Që asnjë marrëveshje më nuk do të vlejë prapë është e pakuptimtë”, tha profesori Ditëro Arifi.
Kurdo që kthehen në dialog, Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë diskutimet rreth planit që njihet si franko-gjerman, i cili tanimë ka edhe mbështetjen e 27 vendeve anëtare të BE-së.