Franca e presidentit Emanuel Macron sa herë është pozicionuar për punën e liberalizimit të vizave për Kosovën ka përmendur se Kosova duhet të punojë ende për përmbushjen e kushteve, duke theksuar në mënyrë specifike luftimin kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe duke treguar shqetësimin për çështjen e migrimit ilegal.
Institucionet e Republikë së Kosovës kohëve të fundit kanë shpeshtuar kontaktet me institucione e Francës. Për një vizitë zyrtare atje po qëndron Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmedi, i cili ka takuar Drejtorin e Policisë Kufitare të Francës, Fenand Gontier.
Temat e diskutuara në këtë takim kanë qenë forcimi i bashkëpunimi kufitar, migrimi ilegal, trajnime dhe teknikat e avancuar të kontrollit kufitar dhe luftimi i kontrabandës.
Në këtë takim kanë diskutuar në mënyrë specifike edhe për punën e përmbushjes së kushteve për liberalizimit të vizave.
“Po ashtu pjesë e diskutimit në këtë takimi ka qenë edhe vlerësimi dhe ndihma në plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave. Takimi rezultoi me vullnetin dhe shprehjen e gatishmërisë për bashkëpunim të ndërsjellë në fusha të ndryshme e në veçanti me Policinë Kufitare”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Në Paris gjatë muajit maj ka qëndruar për vizitë zyrtare edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka takuar krerët e të institucioneve të sigurisë franceze, për ta diskutuar progresin e Kosovës në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Gjatë vizitës sime në Paris, takova përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, Policisë Kombëtare dhe Gjandarmërisë për ta diskutuar progresin tonë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, kishte shkruar Sveçla.