“Ka një javë që kam probleme me gjumë”, kështu kishte thënë gjatë fushatës zgjedhore në vitin 2020 zëvëndëskryeministri i vendit Besnik Bislimi, shkruan Periskopi.
Zëvëndësi i Kurtit kishte treguar se ka çrregullime me gjumë me arsyen se kishte pritshmëri të mëdha që Vetëvendosje të fitonte 55 mandate në Kuvendin e Kosovës.
“Që një javë kam probleme edhe me gjumë pasi që nuk di se si t’i përgjigjemi një pritshmërie kaq të madhe”, kishte thënë Bislimi në Kanal 10.
Por i shqetësuar për gjumin e Bislimit po del të jetë edhe shefi i tij, Albin Kurti.
Ai gjatë një konference për medie u ‘tall’ me zëvëndësin e tij duke ia shfrytëzuar deklaratën e para dy viteve, e që kishte pasur shumë reagime dhe ‘meme’ nga opininoni publik.
Kurti tha se zëvëndësi i tij bie të fle me preokupimin për zbatimin e udhërrëfyesit për energji.
“Zyra e Rregullatorit për Energji ka pasur dy javë ta bëjë licencimin dhe e ka bërë për dy ditë, por nga ana tjetër edhe sot e kësaj dite nuk e kemi regjistrin e konsumatorëve në veri dhe ky është preokupimi im kryesor dhe kjo është çështja numër një me të cilën zgjohet në mëngjes dhe bie të fle në mbrëmje zëvendësi im, nëse fle, Besnik Bislimi, sepse nuk ka gjë më të rëndësishme sot për të, por edhe pushtimin tonë që të zbatohet ai udhërrëfyes dhe përfundimisht të kemi shërbimin e furnizimit edhe në veri, pagesën e energjisë së konsumimit dhe stabilitetin energjetik në Kosovë”, ka thënë Kurti në konferencën e sotme për medie.
Kujtojmë se delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë arritur pajtueshmëri për zbatimin e marrëveshjes ekzistuese për energjinë.
Takimet janë zhvilluar Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes dy shteteve, i cili ka nisur më 2011.