Home Lajme Takimi Kurti-Vuçiq, Qalaj: Të gjendet një zgjidhje që mos të kemi përshkallëzim të situatës në veri apo në jug

Takimi Kurti-Vuçiq, Qalaj: Të gjendet një zgjidhje që mos të kemi përshkallëzim të situatës në veri apo në jug

0

Një ditë para nisjes së zbatimit të masës së gjobitjes për pronarët e veturave me targa ilegale serbe, kryeministri Kurti dhe presidenti serb, Vuçiq priten të takohen  në Bruksel, pra të dielën. Ky takim vjen pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës, tensioneve në veri, si dhe presionit nga ndërkombëtarët ndaj të parit të Qeverisë së Kosovës që ta shtyjë vendimin për targat. Por a do të pajtohen dy palët për çështjen e targave?

Ish-drejtori i Policisë,Rashit Qalaj në një prononcim për Periskopin tha se në këtë takim që do të mbahet duhet të gjendet një zgjidhje në mënyrë që situata të mos tensionohet më shumë.

“Jam shumë i sigurt se do të duhej të gjendej një zgjidhje në Bruksel, shpresoj shumë që në këtë takimin e fundit që do të mbahet këto ditë në fundjavë të dielën ose të hënën në Bruksel të gjendet një zgjidhje në mënyrë që të kontribuohet që situata të mos tensionet edhe më shumë në atë pjesë të vendit”, tha ai.

I pyetur se a mund të ketë tensione përsëri nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje mes Kurtit e Vuçiqit në Bruksel, Qalaj tha se kjo varet nga qasja e presidentit serb, sepse komuniteti serb në veri janë të varur nga ai.

“Unë mendoj që komuniteti serb atje është shumë i varur nga presidenti i Serbisë dhe krejt kjo varet nga qasja e Vuçiqit dhe aparaturës shtetërore të tij dhe nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje atëherë institucionet e Kosovës duhet të fillojnë me zbatimin e planit ashtu siç është hedhur, po flas për Policinë e Kosovës. Prapë po e përsërisë, do të ishte shumë e mirë për vendin që të gjendje një zgjidhje që do të evitonte eskalimin e situatës atje”, shtoi Qalaj.

Pasi eprorët serb dorëzuan uniformat e Policisë së Kosovës, ish-drejtori i Policisë vlerësoi se mungesa e tyre shkakton probleme të mëdha, madje paralajmëroj që nëse nuk gjendet një zgjidhje edhe komunat në jug të vendit mund t’i pres një situatë e njëjtë si në veri.

“Situata ndërlikohet më shumë në 4 komunat që i kemi atje me qenë se ata policë nga komuniteti shqiptar që janë atje, janë duke ofruar vetëm siguri teknike për stacionet, mungesa e pjesëtareve të policisë nga komuniteti serb shkakton probleme të mëdha atje edhe pse ka kapacitete Policia e Kosovës që t’i zëvendësoj ata me policë shqiptarë nga stacionet policore tjera, por prapë se prapë unë mendoj që, po e përsërisë, se duhet të gjendet një zgjidhje që të mos vij deri tek përshkallëzimi i situatës në veri apo ndoshta do të kemi situatë të njëjtë edhe në komunat në jug të vendit”, përfundoi Qalaj.

 

 

Exit mobile version