Home Lajme Takimet me Kurtin dhe Vuçiqin, Lajçak: Do të vazhdojë eksplorimi i opsioneve për përparim në dialog

Takimet me Kurtin dhe Vuçiqin, Lajçak: Do të vazhdojë eksplorimi i opsioneve për përparim në dialog

0
Takimet me Kurtin dhe Vuçiqin, Lajçak: Do të vazhdojë eksplorimi i opsioneve për përparim në dialog

Emisari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se do të vazhdojë përpjekjet edhe ditët në vijim për gjetje të opsioneve për përparim në dialog.

Lajçak këtë e ka thënë në ‘Twitter’, si përmbledhje ditore e takimit të tij dhe këshilltarëve të Berlinit dhe Parisit zyrtar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, shkruan lajmi.net.

“Sot, së bashku me këshilltarët e lartë të politikës së jashtme të Presidentit francez dhe Kancelarisë gjermane gjermane, pata diskutime të rëndësishme dhe të thelluara me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidentin Aleksandër Vuçiq për të eksploruar opsionet për përparim në Dialog. Procesi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim”, ka deklaruar Lajçak.

Përfaqësuesit e Macronit e Scholzit, bashkë me Lajçakun, vizituan të premten paraprakisht Kosovën, ku u takuan edhe me kryeministrin Albin Kurti. Emisari i BE-së përmendi një dinamikë të re të dialogut.

“Sapo përfunduam një takim më shumë se dy orësh me zotëri Kurtin me të cilin diskutuam për dialog dhe si të sjellim dinamikë në proces dhe si ta dërgojmë procesin përpara Ka qenë një diskutim i rëndësishëm dhe nuk mund të japim detaje tjera sepse do të kemi diskutim të njëjtë sot me zotëri Vuçiq. Kjo ka qenë pjesa e parë e misionit tonë”, deklaroi emisari i BE-së gjatë vizitës në Kosovë.

Në anën tjetër, Vuçiq iu është qasur destruktivisht problematikës së dialogut Kosovë-Serbi në takimin me këshilltarët evropianë dhe Lajçakun. Ai ka thënë se Serbia nuk do ta njohë Kosovën.

“Aktualisht jam duke biseduar me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, si dhe me këshilltarët për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë të Republikës së Francës dhe Republikës Federale të Gjermanisë. Emanuel Bonn dhe Jens Pletner. Gjithmonë të gatshëm për zgjidhje kompromisi, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. S’ka dorëzim! Rroftë Serbia”, deklaroi Vuçiq.

Kryeministri Kurti së fundmi ka përshëndetur angazhimin e shtuar të Gjermanisë dhe Francës drejt dialogut me Serbinë.

Megjithatë, dje shefi i ekzekutivit tërthorazi refuzoi një ndërmjetësim të mundshëm të Turqisë ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe. 

Exit mobile version