Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri është deklaruar pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shkruan Gazeta Express.
Tahiri tha se në këtë mbledhje pati debat për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për çështjen e energjisë.
Sipas tij ky ishte diskutimi kryesor i mbledhjes së sotme.
“Sapo përfundojë mbledhja e Kryesisë, siç pritej diskutimi kryesor ishte rreth krijimit të komisionit hetimor”, tha Tahiri.
Ai shtoi se iniciues i kësaj kërkese ishte shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
“Qëndrimi i Grupit Parlamentar të AAK-së është i thjeshtë, kërkesa për një Komision hetimor për energji është bërë nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së dhe nënshkrues të kësaj kërkese janë deputetët. Për vlerësimin tonë është e habitshme e pakuptimtë dhe zgjon kureshtje të madhe se pse LVV e kundërshton themelimin. Pra çfarë janë duke fshehur?”, ka thënë Tahiri.