Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shkuar për vizitë në pikëkalimet kufitare në Jarinje dhe Koshtovë të Vllahisë përgjatë së shtunës.
Një gjë e tillë u bë e ditur nga vetë i pari i MPB-së, duke potencuar se takoi policë e doganierë dhe se ishin të vendosur të sigurojnë sundim të ligjit në “çdo cep të Republikës.
“Sot vizitova pikën e kalimit kufitar në Jarinje, stacionin e policisë kufitare atje si dhe Stacionin Policor në Koshtovë të Vllahisë ku takova zyrtarët dhe përgjegjësit policor si dhe zyrtarët e Doganave të Kosovës”, njoftoi Sveçla.
“Vendosmëria e gjithë zyrtarëve për të garantuar sundimin e ligjit në çdo cep të Republikës dhe për të shërbyer e mbrojtur qytetarët tanë pa dallim, janë garanca për ruajtjen e paqes dhe sigurisë”, përfundon postimi i tij.
Vizita e Sveçlës shënohet pas largimit të 11 doganierëve serbë nga pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak, si shenjë bojkoti ndaj vendimit të Qeverisë për targat.
Vetë shefi i dikasterit të MPB-së ka bërë të ditur mbrëmë se nga Policia e Kosovës janë larguar 578 pjesëtarë të komunitetit serb.