Superliga e Kosovës në futboll, rikthehet këtë vikend me ndeshjet e xhiros së tetë.
Kryesfida do të luhet të shtunën pasdite në Gjilan, ku skuadra më të njëjtin emër do të përballet me Llapin. Kjo ndeshje është tejet e rëndësishme për të dy skuadrat, sfidë të cilën do ta gjykojë Burim Jahmurataj.
Ballafaqim interesant të shtunën pritet të jetë edhe në ndeshjen Malisheva-Drita. Gjilanasit llogaritën favorit të paktën në letër, megjithatë, Malisheva do të provojë që të ndal serinë pozitive të skuadrës së Ardian Nuhiut. Këtë ndeshje do ta gjykojë Gramos Shala.
Duele joshëse na presin edhe të dielën pasdite, ku janë në program të luhen dy ndeshjet e javës së tetë.
Në Skenderaj takohen rivalët e vjetër, Drenica-Prishtina. Arbitri Erdall Zdrella do të ndajë drejtësinë në këtë duel, derisa në ndeshjen tjetër do të përballen Trepça ’89-Dukagjini, kurse sfida mes Ferizajt-Ballkanit luhet të hënën pasdite.