Suedia dhe Holanda kanë shënuar rekorde të rasteve me Covid-19, pasi varianti Omicron është bërë mbizotërues në dy shtetet e pasura evropiane.
Britta Bjorkholm, drejtoreshë e Departamentit për Kontrollimin e Sëmundjeve në Suedi, tha se numri i rasteve të martën ishte 17.320, dukshëm më shumë se rekordi i mëparshëm i 30 dhjetorit, me 11.507 raste.
“Kemi rritje të shpejtë të numrit të rasteve, por deri më tani jo ndikim aq të madh në sistemin e kujdesit shëndetësor”, tha ajo në një konferencë për gazetarë, duke shtuar se shifrat e pacientëve në kujdes intensiv dhe i viktimave janë dukshëm më të ulëta se rekordet.
Danimarka fqinje, e cila është në mesin e vendeve më të goditura nga varianti Omicron, gjithashtu raportoi shifër rekorde për 24 orë.
Numër rekord i rasteve ditore u shënua edhe në Holandë me rreth 24.500 infeksione të mërkurën. Shifra e rasteve u rrit për gati 60 për qind nga java e kaluar, pavarësisht masave të rrepta për mbylljen e shumicës së dyqaneve si dhe restoranteve, muzeve e hapësirave të tjera publike nga 19 dhjetori.
Izolimi e ka ulur numrin e pacientëve me Covid-19 në spitalet holandeze në nivelin më të ulët në dy muajt e fundit, por ekspertët presin që kjo shifër të rritet përsëri së shpejti për shkak të rritjes së shpejtë të numrit të infeksioneve.