Lyudmilla Makey ishte hamendur për disa çaste nëse duhej ta linte gati një çantë me rroba, para se të nisej për në koncertin e muzikës klasike në qendër të Prishtinës.
Por, nuk i kishte besuar instinktit se mund t’i duhet për një largim emergjent nga Kosova.
Veçse, për disa çaste gazetarja ukrainase e ikur nga lufta, ishte ndjerë e penduar pse nuk e kishte bërë këtë, kur natën e 31 korrikut, derisa po kënaqej me këngët e tenorit Ramë Lahaj dhe mysafirëve të tij, telefoni iu vërshua me thirrje e mesazhe.
Situata në veriun e Kosovës ishte tensionuar nga serbët e rebeluar të dirigjuar nga Serbia, dhe familjarët e saj ia kishin dronë se mund të ndodhte skenar sikur ai i Rusisë në Ukrainë.
”Ne shkuam tek Festivali i Ramë Lahajt për Operën dhe papritur, telefoni im shpërthente nga mesazhet: ‘Luda çfarë po bën?’ ‘Çfarë po bën në Kosovë?’ ‘Kosova është në luftë përsëri’ ”, citon ajo merakosjen e miqve të saj.
” ‘Nuk e di‘, iu përgjigja unë atyre”, tha ajo për Klankosova.tv, teksa rrëfen momentet që duket të ishin kritike për të si e ikur nga lufta.
”Dhe iu shkruajta miqve të mi në Prishtinë, përkthyeses tonë, Elena Lushakut, dhe ajo më dërgoi një mesazh: ‘Mos u merakos, është normale dhe gjithçka është në rregull’ ”.
Por ajo thotë se kjo porosia e përkthyeses nuk ua shoi frikën e miqve dhe familjarëve të saj.
”Ua përcolla këtë miqve të mi në Prishtinë dhe familjarëve të mi. ‘Mos u merakosni, gjithçka është në rregull’, iu thash. Por, përsëri telefoni im kishte thirrje, thirrje, thirrje, 100 thirrje në mbrëmje. Koka ime po eksplodonte nga këto thirrje dhe mesazhe”.
”E hapa internetin, kanalet e telegramin. Çfarë të shihja. Lajmet, serbë, alarme në Mitrovicë”, kujton Makey, e cila gjendet në Kosovë bashkë me 8 kolegë të tjerë ukrainas, në një program të strehimit të financuar nga qeveria e drejtuar nga Albin Kurti.
Në fakt, ishte vetë kryeministri ai që në një grup virtual këtyre gazetarëve iu kishte dhënë një udhëzim, disa orë më herët.
”Albin Kurti na shkroi po ashtu në grup”.
Mesazhi i Kurtit drejtuar gazetarëve ukrainas, siç e ka parë Klankosova.tv, kërkonte që ata të zgjidhnin mjetet e informimit, e të përcillnin me vëmendje vetëm njoftimet që rrjedhnin nga Qeveria e Kosovës.
Në këtë moment, Lydmilla e kishte parandjerë frikën.
”Pas kësaj e ndjemë se ndoshta duhet të paketojmë një çantë. Kisha frikë në kokën time, në shpirtin tim, dhe ashtu shkuam në koncert në sheshin ”Skënderbe”. Dhe ky koncert ishte si një balsam për shpirtin tonë. Ramë Lahaj, artist i bukur, performancë e shkëlqyer. Këngëtar shumë interesant dhe kjo muzikë bëri një mrekulli për situatën që po kalonim”.
”Dhe më kanë shkruar kolegët, në Prishtinë jetojnë 9 gazetarë nga Ukraina. Dhe të gjithë më shkruan ‘Si jeni?’. Ne kemi një grup në whattsapp dhe juristja jonë për media Flutura Kusari, na shkroi: ‘Mos u shqetësoni. Është një situatë normale’ ’’.
”Vajzat më thirrën: ‘Mami eja në Bratislavë’, ‘Eja në Gjermani’. Miqtë e mi më thirrnin ‘Luda eja në Kanada, eja në SHBA’. Por unë kam vendosur të rri në Kosovë”, thotë gazetarja që tani ka një zyrë të përkohshme në Prishtinë.
Klankosova.tv: Të ngjasonte situata e krijuar këtu në veriun e Kosovës, me atë në Ukrainë?
”Po sigurisht. Situata është si në Ukrainë. Kur rusët sulmuan Krimenë, Donbasin dhe Luhanskun. Dhe këto territore nuk ishin të qeta tetë vjet më pare. Dhe vitin e kaluar ushtarët rusë ishin në kufi”.
”Por në Ukrainë është situata më e vështirë. Lufta është zjarr. Qyteti im Kropyvnytskyi, katër herë ishte sulmuar. Dhe një javë më parë, pesë njerëz u vranë, dhe njëzet njerëz mbetën në spital. Ka shume frikë. Dhe çdo ditë dhe çdo natë, dëgjohet alarmi nga mëngjesi, dhe gjithë netët, miqtë e mi më dërgojnë mesazhe: ‘Nuk mund të flemë, nuk mund të bëjmë asgjë se zemra dhe shpirti ynë nuk është i qetë, është alarm aq i keq, sidomos për fëmijët’ ”, thotë Makey.
”Po, nuk është vetëm mendimi im, por është mendimi i shumë analistëve në Ukrainë, në Kosovë, Evropë dhe SHBA. Vuçiq dhe Putin janë aleatë. Por herët a vonë Serbia duhet ta pranojë faktin që Kosova është shtet i pavarur. Sepse të dy jetojnë në BE dhe BE-ja është e interesuar për stabilizim”, thotë ajo.
Megjithatë ajo thekson disa hapa të mëtejmë në mënyrë që të shmanget lufta siç ndodhi në Ukrainë.
”Është e nevojshme të jesh i fortë dhe i mençur kundër agresorit. Dialog – ndoshta po,” vlerëson gazetarja.
Ajo është kujdesshme të bëjë një parashikim për veprimet e Serbisë kur dhe 30 ditëshi për pezullim të reciprocitetit do të kalojë.
”Ndoshta këtu do të ketë një interpretim tjetër nga Serbia. Por unë nuk e di. Kjo është një luftë hibride dhe është e vështirë të parashikohet diçka këtu. Para së gjithash, kjo është një luftë informacioni dhe do të vazhdojë. Duhet të ketë imunitet ndaj propagandës ruse. Në Kosovë, në Ukrainë, në Evropë, sepse propaganda ruse është shumë aktive muajve të kaluar dhe mendoj se do të jetë sërish e njëjta situatë”, vlerëson ajo.
Por, pavarësisht bindjeve politike, gazetarja Lyudmila Makey, thotë se për situatën nëpër të cilën kaloi Kosova ditë më parë, u mor edhe vëmendje ukrainase, për të cilin vend beson se kur ta fitojnë luftën me Rusinë, do t’ia japë njohjen Kosovës.
”Situata ndryshon shumë për çdo ditë, por shpresojmë, besojmë për këtë. Populli i Kosovës është mik i popullit ukrainas. Mendoj se kur do të fitojmë në këtë luftë, miqësia jonë do të jetë zyrtare”, thotë ajo, e kënaqur me mbështetjen që e përjetoi edhe vet këtu.
”Bëhet fjalë për një vend, që populli dhe qeveria e mbështeti Ukrainën në luftën tonë, dhe shumë qytetarë të politikës dhe veprimtarisë, kuptojnë se Kosova është miku ynë”, u shpreh ajo për Klankosova.tv.